Çitaku: Nga terreni po marrim informacione pozitive dhe inkurajuese

Derisa kanë mbetur më pak se 2 orë deri në mbyllje të qendrave të votimit, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) thotë se nga terreni po marrin informacione pozitive dh inkurajuese për këtë parti.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pasi sot është dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare për komunat e Kosovës.

Çitaku tha se sonte do jetë festë për demokracinë dhe qytetari do jetë fituesi më i madh

“ Ka mbetur vetëm edhe një orë e gjysmë kohë deri në mbylljen e vendvotimeve sot është dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave të Kosovës. Prandaj, edhe njëherë iu ftoj të gjithëve posaçërisht juve të rejave dhe të rinjve që nuk keni votuar ende dilni dhe votoni. Dilni dhe votoni udhëheqësit më të mirë të cilët do jenë në krye të komunave në katër vitet e ardhshme. Procesi i deritanishëm zgjedhor sipas informacioneve që kemi nga aktivistët tanë që janë të angazhuar në tërë territorin e Kosovës vlerësohen si pozitive dhe shumë inkurajuese. Nuk kam dije dyshimi se sonte do jetë një festë për demokracinë dhe qytetari do jetë fituesi më i madh”, theksoi ajo.

Ndërsa, deri në këtë momente të drejtën e tyre për të votuar e kanë ushtruar vetëm 26.93% e qytetarëve të Kosovës.