Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi ynë ka bërë progres të madh që nga shpallja e pavarësisë dhe se tash UNMIK nuk e ka më rolin paqeruajtës, andaj do të ishte më e dobishme që resurset e kësaj organizate të shfrytëzohen për zgjidhjen e krizave tjera nëpër botë.

Ajo gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucionit t’i referohen vendimit të GJND-së se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.

“Këto sesione këtu nuk i ndihmojnë paqes dhe dialogut dhe fatkeqësisht ky vend këtu është duke u keqpërdorur dhe është shndërruar në teatër”, u shpreh ai.

Diplomatja kosovare ka folur edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke thënë se nuk mund të pritet nga vendi ynë të luftojë krimet pa qenë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm.

“Kosova nuk duhet të jetë një vrimë e zezë mes kontinentit evropian. Kemi dëshirë të ndihmojmë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Evropën për të qenë më të sigurt. Sa i përket policisë, OKB duhet të mburret se vetë kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës dhe Kosova ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste”, u shpreh ajo.

Sipas saj, për themelimin e ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë dhe kjo çështje do të përfundojë së shpejti. Ndërsa shtoi se themelimi i ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por Serbia nga ana e saj ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë, e cila i kushton Kosovës me miliona në vit, madje Beogradi zyrtar ka shkelur CEFTA-n, andaj tatimi i vendosur prej 10 për qind ndaj mallrave serbe si i tillë ka qenë i pashmangshëm. /Ballkani.info/