Çitaku ia “mërdhiu” Daçiqit në OKB, tash mediat e Vuçiqit e quajnë e “dashura” e Thaçit

Mediat serbe që kontrollohen dhe i shërbejnë politikës së Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe të tjerëve, vazhdojnë të shkruajnë “zi e terr” për ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Kjo, pasi që Çitaku me paraqitjet e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ka demoluar plotësisht si Daçiqin ashtu edhe tërë politikën serbe, me ç’rast ka demaskuar botërisht vazhdimin e politikës hegjemoniste serbe karshi Kosovës.

Për të mos mbetur me kaq, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Çitaku me fakte dhe argumente bëri që ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ta heqë maskën dhe të duket ashtu siç është – Millosheviqi në miniaturë, shkruan Ballkani.info.

Kjo bëri që nxënësi i Millosheviqit t’i vërsulet Çitaku dhe ta fyejë atë në sallën e Këshillit të Sigurimit menjëhërë pas përfundimit të mbledhjes.

Ndërkaq, sot, gazeta e kontrolluar nga politika serbe, “Blic” është marrë sërish dhe ulët me Vlora Çitakun.

Kjo gazetë Çitaku e quan grindavece, provokatore dhe “të dashurën” e Thaçit!

“Grindavece, provokatore, e dashura e Thaçit: Kjo është Vlora Çitaku, përfaqësuesja e Kosovës në SHBA e cila me Daçiqin është në luftë”, kështu është titulli i kësaj gazete.

“Presidenti kosovar, Hashim Thaçit i përshperiste gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, me shefin e diplomacisë serbe edhe këto ditë, por edhe më herët, është në polemika, përmendoret serbe në Kosovë i ka kthyer në shqiptare, kurse serbët i krahason me të keqën më të madhe, duke u shërbyer me serinë e popullarizuar botërore ‘Games of Thrones’”, shkruan kjo gazetë, përcjellë Ballkani.info.

Tutje në shkrim thuhet se “biografia” e saj është pasuruar edhe me një incident, kur Vlora Çitaku, përfaqësuesja e Prishtinës në SHBA, këtyre ditëve ka hyrë në përplasje me Ivica Daçiqin.

“Vlora Çitaku pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku Kosova ishte temë, ka thënë se ndaj saj dhe delegacionit kosovar, Ivica Daçiq, shefi i diplomacisë serbe, ka bërë fyerje dhe e ka ngritur zërin. Mirëpo Daçiq ka thënë se pas seancës ka reaguar lidhur me deklaratët e Çitakut se Serbia e ka kolonizuar Kosovën, duke thënë se nuk e ka sulmuar”, shkruan “Blic”.

Megjithatë në video shihet qartë nervoza dhe bërtimat e fyerjet e Daçiqit drejtuar Çitakut dhe delegacionit kosovar.

Kjo nuk është hera e parë që mediat e Vuçiqit tentojnë të hedhin baltë ndaj ambasadores kosovare. Ditë më parë ishte një artikull ku thuhej se Çitaku “është e dashura e Medeleine Albrightit dhe se është lesbike”. Për këtë kishte reaguar edhe vetë Çitaku. /Ballkani.info/