Nënkryetarja e PDK-së

Çitaku: Diplomacia e Kosovës pa krye, në rënie të lirë

Në rënie të lirë e diplomaci pa krye e ka cilësuar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, diplomacinë e Kosovës pas kërcënimit që bëri presidenti francez, Emmanuel Macron, me kthim të vizave, dhe kundërpërgjigjen e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Të martën, në një konferencë për media në Tiranë, Macron kërcënoi Kosovën me kthim të vizave “po që se nuk e mban fjalën e dhënë”. Lajmi u keqinterpretua në Kosovë si “vendim i Francës për pezullim të liberalizimit të vizave”. E pas kësaj reagoi ministrja Gërvalla në Twitter në një shprehje frënge “Et voila (Ja pra)”.

Sipas Çitakut, deklarata e Macronit për pabesi në Kosovë është më e dëmshme se kërcënimi për viza. E reagimin e Gërvallës e ka cilësuar skandaloz.

“Më i dëmshëm është konstatimi i Presidentit Macron për lidershipin e Kosovës si njerëz të pabesë që nuk e mbajnë fjalën, sesa deklarata për viza. Ndërkohë reagimi i Ministres së Jashtme skandaloz. Diplomaci pa krye. Në rënie të lirë”, ka shkruar ajo në Facebook.