Serbi

Cirk në Kuvendin e Vranjës: Rrëmbehet foltorja, Lepa Brena në sfond dhe një këshilltare që ulëritë

Skena thuajse të pabesueshme janë parë sot gjatë seancës së Kuvendit të Vranjës. Këshilltarët u përplasën rreth foltores, u lëshua kënga e “Lepa Brenës” dhe në një moment këshilltarja e partisë në pushtet filloi të bërtasë, transmeton Ballkani.info.

Në fillim të seancës opozita protestoi për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës që ishin paraqitur në 1500 faqe. Me atë rast, këshilltari Zoran Stojanoviq tha:

“Agjenda e sotme me 57 pika dhe materiale shtesë prej 1500 faqesh paraqet një sfidë serioze për ne këshilltarët. Detyrimi ynë ndaj qytetarëve është që të studiojmë tërësisht të gjitha dokumentet e propozuara dhe të marrim vendime që do të jenë në interesin më të mirë të qytetit tonë. Megjithatë, ne jemi përballur me një situatë që ngre pyetje serioze për mundësinë e leximit të plotë dhe të kuptuarit të një materiali kaq të gjerë”, tha Stojanoviq.

Ai thotë se nuk është realiste të pritet që ndonjë nga këshilltarët të mund të studiojë në detaje 1500 faqe material në një kohë të shkurtër dhe të marrë vendime të informuara.

“Kjo qasje krijon rrezikun që shumë detaje të rëndësishme të mbeten pa u vënë re dhe që vendimet të merren në bazë të informacionit jo të plotë”, shtoi ai.

Në një moment këshilltarët e qeverisë pushtuan foltoren dhe në sherr se kush do të fliste, kryetarja e Kuvendit Zorica Joviq (SNS) filloi të bërtasë.

Gjithashtu në një moment është dëgjuar edhe kënga e Lepa Brenës “Katër vjet”.

Në fund Joviq e ndërpreu seancën pasi nuk kishte kushte për vazhdimin e saj. /Ballkani.info/