Cilat janë përfitimet nga projekti “Dy porte me një hekurudhë” ?

“Porto Romano në Durrës, Porti i Thatë në Prishtinë, hekurudha në mes”.

Kjo përshëndetje e kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit të dy qeverive, të hënën në Prishtinë, mbase është edhe përshkrimi më i shkurtër praktik i projektit të portit të integruar Shqipëri-Kosovë.

Kjo qe edhe marrëveshja kryesore të cilën e nënshkruan të dy qeveritë, të hënën.

Por, tek pasi kabinetet i morën informatat e duhura, nga kompania që e ka hartuar projektin.

“Deri në vitin 2050 do të mund të ketë potencial deri në 100 mijë kontejnerë që të trajtohen në Portin e Thatë”, tha Eric Smit, nga kompania Royal HaskoningDHV

Me rreth 260 kilometra largësi, porti pa ujë në Prishtinë pritet ta heqë stresin nga porti detar i Porto Romanos në Durrës.

Për projektin janë entuziastë dy ministrat përkatës, pasi kjo e ndryshon lojën ekonomike në rajon.

“Kjo hekurudha nga lugina e Drinit, ka pjerrtësi më të lehtë dhe arrin shpejtësi më të madhe të qarkullimit dhe do të jetë e përshtatshme edhe për portin e Tivarit, arrin më shpejt në Sofje, në Shkup dhe prandaj gjithë këto mallra kalojnë nëpër Shkodër, në Prishtinë dhe pastaj shpërndahen, kjo krijon një mundësi shumë të mirë për Kosovën që të zhvillohet ekonomikisht. Të gjitha ato mallra duhet të vijnë të sistemohen gjitha ato mallra duhet të shpërndahen, me transport tokësor të tjerat vazhdojnë me kontejnerë, e rëndësishme është se është edhe aeroporti afër, që duhet të shoqërohet me një terminal të mallrave, që e bën kombinim multimodal të transportit edhe atij detar edhe ajror edhe tokësor”, tha Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës i Kosovës

“Projekti ynë është mirëpritur nga qeveria e Kosovës. Ne do ta detajojmë më tej pasi është në një fazë fillestare ky projekt i portit të thatë por që do t’i jepte Kosovës një rëndësi të veçantë në rajon pasi nuk do të përpunonte vetëm mallrat që do të vinin në portin e Durrësit me destinacion Kosovën por edhe sasi mallrash, të cilat do të ishin të destinuara edhe për vendet e tjera të rajonit perëndimor të Ballkanit por edhe për më tej siç mund të jetë Hungaria apo Austria”, tha Belinda Balluku. ministre e Ekonomisë e Shqipërisë

Qeveritë shprehën seriozitet edhe për hekurudhën që i lidh portet, duke thënë se do të fillohet me dizajnimin e projektit.

Por derisa kjo të përfundojë, kompania holandeze tha që Porto Romano dhe Porti i Thatë mund të lidhen edhe përmes transportit rrugor, që veçse është i gatshëm.