Challandes për lëndimet: Nuk mund t’i klonojmë Rashicën dhe Zenelin, duhet të luajmë si ekip

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka folur rreth lëndimeve të lojtarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kombëtaren e Çekisë.

Kosova është nikoqire e Çekisë në ndeshjen e vlefshme të Grupit A në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020, e cila zhvillohet nesër (e shtunë) nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri Challandes e ka vlerësuar lartë kundërshtarin, por ka thënë se me pasion, forcë dhe mbështetje të madhe mund të arrijnë fitore.

Challandes gjithashtu u ndal tek lëndimet e shumta të lojtarëve, ku foli në theks të veçantë për dyshen sulmuese, Milot Rashica dhe Arbër Zeneli.

“E kam theksuar edhe javën e kaluar për mungesat e rëndësishme që kemi për këtë ndeshje. Por, ne nuk do të bëjmë zëvendësime individuale”, ka thënë fillimisht Challandes në konferencën për shtyp.

“Nuk kemi një klon për Rashicën apo për Zenelin. Prandaj, duhet të punojmë më shumë si ekip për këto dy ndeshje”.

“Kjo është zgjidhja ime, duhet të punojmë shumë, shumë dhe shumë si ekip”, përfundoi trajneri i Kosovës.

Ndryshe, tri ditë më vonë Dardanët do të udhëtojnë drejt Anglisë për ndeshjen e radhës kualifikuese.

loading…