Çfarë tha shefi i ri i CIA-s kur vizitoi Kosovën në vitin 2012?

William Burns tashmë është emëruar shef i CIA-s “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”.

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të enjten i ka dhënë mbështetje, William Burns, që të bëhet drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.

Senati ka votuar unanimisht, pa ndonjë kundërshtim, për të emëruar Burns (ish-Ambasador në Rusi dhe ish-Zëvendës Sekretar i shtetit) si drejtues të agjencisë më të madhe të spiunimit, shkruan Klan Kosova.

Diplomati veteran më 18 shkurt të vitit 2012, kishte vizituar Kosovën në cilësinë e Zëvendës Sekretarit të Shtetit, ku ishte takuar me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi, presidenten Atifete Jahjaga dhe me përfaqësues tjerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Pas kësaj vizite, Burns ka thënë se miqësia e fortë dhe e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara me Kosovën është e njohur.

“Jemi thellësisht krenar për të. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”.

“Ne ndajmë të njëjtin vizion për vendin tuaj – ta shohim Kosovën që ta marrë vendin e saj të duhur në institucionet Euro-Atlantike, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë të punojmë me udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës në përmbushjen e detyrimeve të tyre në mënyrë që t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur”.

Ai kishte shtuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin në mënyrë aktive forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë.

“Ne besojmë se është thellësisht në interesin personal të të gjithë atyre që jetojnë këtu – pavarësisht nëse jeni serb apo shqiptar – të ndërtoni një të ardhme më të mirë dhe më premtuese. Në veçanti, ne besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për çdo demokraci dhe çdo shoqëri të përqendrohet në rëndësinë e sundimit të ligjit”.

“Nëse shikoni nëpër botë, është e vështirë të gjesh ndonjë shembull të një shoqërie që është e suksesshme në luftimin e një problemi si korrupsioni, përveç kur ka një media të pavarur dhe objektive dhe një gjyqësor të pavarur për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës. Kjo është shumë më lehtë të thuhet sesa të bëhet, por është një qëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Në vitin 2012, Burns ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara fuqimisht për të mbështetur Kosovën në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE.

“Ndërsa njerëzit e Kosovës padyshim që do të gjykojnë vetë se çfarë është në interesin e tyre kombëtar, përfitimet e përparimit përmes kësaj përpjekjeje janë të qarta. Siç kanë theksuar shumë herë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë, ne po kërkojmë nga të dy palët të jenë fleksibile dhe krijuese për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova janë në gjendje të marrin pjesë në forume rajonale. Të dy palët duhet të gjejnë një formulë me të cilën do të jenë të qetë”.

“Më lejoni të shtoj se e kuptoj shumë mirë se sa e ndjeshme dhe e ndërlikuar është kjo çështje. Por është e rëndësishme gjithashtu të realizohet mundësia që tani është e arritshme. Nga perspektiva jonë, e gjithë kjo çështje ka të bëjë me atë se si Kosova mund të fitojë të drejtën të përfaqësojë veten në organizatat rajonale dhe si të vendosë bazat për marrëdhënie më të ngushta me Evropën”.

“Të fitosh atë të drejtë, të fitosh shansin për të marrë pjesë si të barabartë për të përfaqësuar veten, është një fitim i madh për Kosovën. Është progres i vërtetë në rrugën në të cilën Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar kaq shumë së bashku. Të gjitha pyetjet e tjera simbolike dhe teknike që tërheqin kaq shumë komente sot janë më pak domethënëse në krahasim me zërin tuaj, vendin tuaj në tryezë. Kjo është ajo që ka të bëjë me sovranitetin”.

Në fund diplomati amerikan ka theksuar se derisa Kosova vazhdon të ndërtojë mbi arritjet e viteve të fundit, derisa është e vendosur për një rrugë drejt një të ardhme më të prosperuar dhe paqësore Evropiane, ajo mund të mbështetet në miqësinë e qëndrueshme të Amerikës.