Çfarë shkruan në letrën që Dodiku i ka dërguar Thaçit (FOTO)

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik i ka dërguar ftesë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të merr pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Samiti do të mbahet në korrik në Bosnje dhe Hercegovinë.

Portali boshnjak Klix.ba e ka publikuar faksimilin e letrës në të cilën Dodik thekson se ka nderin që ta ftojë Thaçin në Sarajevë.

“Jam i ngazëllyer që mund t’ju ftojë në darkën për krerët e delegacioneve të cilën e organizon Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës më 8 korrik”, thuhet nder tjerash në letër, transmeton Ballkani.info.

Në fund të letrës Dodik e përmend rolin e rëndësishëm të Thaçit në nivelin ndërkombëtar dhe thekson se pjesëmarrja personale e Thaçit në konferencën e Sarajevës “do të kontribuojë në definimin e sfidave me të cilat përballet kontineti”.

Dodik në letër i është shmangur përmendjes së Kosovës, por nuk e ka përmendur as “fusnotën e famshme” që Bosnja nuk e ka njohur Kosovën, thekson tutje portali nga Sarajeva.

Nga kabineti i kryesuesit së Presidencës së Bosnjës pas publikimit të letrës dërguar Thaçit thuhet se Kosova nuk është ftuar si shtet i pavarur, por vetëm si “subjekt i padefinuar me fusnotë”. /Ballkani.info/