Çfarë sekreti shtetëror zbuloi dje ministri Murati?

Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ministri i Financave, Hekuran Murati shpalosi një sekret shtetëror.

Prestreshi në Facebook shkroi se, Murati ra nën grackën e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur kështu për Fondin e Sigurisë së FSK-së dhe zbuloi që janë mbledhur mbi 2 milionë euro.

Sipas tij, një deklaratë e tillë është zbulim i informacionit të klasifikuar. Ai kërkoi që Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Prokuroria të vihen në lëvizje ndaj ministrit Murati.

“Ministri Murati, sapo ra në grackë të Abeleart Tahirit, e rrjedhimisht, sapo shpalosi një sekret shtetëror, rreth fondit të FSK-së. Abelearti tha, jap dorëheqje nëse janë mbledhur mbi 2 milion. Hekurani tha, Jep dorëheqje, sepse janë mbledhë. Kjo informate është zbulim i informacionit të klasifikuar. AKI dhe prokuroria duhet të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme kundër zbulimit të sekretit shtetëror!”, shkroi ai.