Çfarë pune kishte bërë ekstremisti shqiptar që e terrorizoi Vjenën

Terroristi me prejardhje nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, Kujtim Fejzullahi, i cili i vrau katër persona dhe plagosi rreth 20 të tjerë në qendër të Vjenës, kishte punuar në një kompani për sigurimin e spitaleve.

Miku i tij i vjetër, i cili është në paraburgim me dyshimin për bashkëpunim me 20-vjeçarin, tha se Fejzullahi gjatë izolimit të parë të Austrisë për shkak të fillimit të pandemisë së koronavirusit, ishte punësuar si rojtar në një spital.

Ai nuk kishte marrëdhënie pune me spitalin, por me kompaninë që mori përsipër punën e sigurimit të objektit shëndetësor.

Sipas protokollit të seancës dëgjimore, siç raporton agjencia APA, kompania që i dha atij punë, komunikonte me të përmes WhatsApp-it në baza ditore.

I dyshuari gjithashtu thotë se Fejzullahi i ofroi atij ta bënte punën e njëjtë dhe të fitonte para duke siguruar objektet, por që i paraburgosuri kishte refuzuar.