Nexhat Uglani

Çfarë po ndodhë me peticionin për shkarkimin e Kryetarit në Mitrovicën e Veriut?

Kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, ende nuk është njoftuar se ku do të mbahet peticioni për shkarkimin e kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq.  Në një prononcim për Gazetën Express, Uglanin tha se një gjë e tillë është e obligueshme sipas Udhëzimit Administrativ. Ai ka një paralajmërim për grupin nismëtar.

 “Prej nesër e këqyrim se në cilën fazë hyjmë, sepse ata janë të obliguar sipas udhëzimit administrativ me lajmëru vendin dhe hapësirën publike kur do ta mbajnë peticionin dhe kuvendi më pas me miratu. Sepse, siç po mendojnë ata, me i mbledh nëpër rrugë, nuk do t’i pranoj”, tha ai.

Uglanin tha se nesër do ta njoftojë MAPL’në që grupi nismëtar ende nuk janë lajmëruar.

“Unë do ta njoftoj nesër MAPL’në që ende s’janë lajmëru sipas Udhëzimit Administrativ dhe do të kërkoj nga Ministria se kur janë regjistruar grupi nismëtar në kuadër të KQZ’së dhe do t’i njoftoj se ata janë të obliguar me lajmëru për hapësirën publike për mbajtjen e peticionit”, deklaroi ai.

Ai tha se grupit nismëtar ia ka dërguar formatet se si është peticioni. Çështja e zgjedhjeve në Veri u bë aktuale pas dorëheqjes së kryetarëve të atëhershëm në nëntor të vitit 2022, të cilët nuk qenë të kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Më pas zgjedhjet u caktuan për më 18 dhjetor, por për shkak të insistimit të bashkësisë ndërkombëtare ato u shtynë për më 23 prill. Më 23 prill pati dalje të ulët të qytetarëve në zgjedhje dhe sipas rezultateve fitues dolën kandidatët shqiptarë.

Pas shumë tensioneve në Veri, ndërkombëtarët rekomanduan dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë, mirëpo krerët shtetërorë në Kosovë përkrahën opsionin për peticionin, për çka më pas u hartua udhëzimi administrativ.

Ky udhëzim parasheh që kryetarët të shkarkohen pas nisjes së peticionit nga qytetarët. Tashmë kanë nisur procedurat dhe ka filluar rjedhja e afatit 30 ditor për mbledhjen e nënshkrimeve. Mirëpo, udhëzimi administrativ parasheh mundësinë që të kërkohen 15 ditë afat shtesë. 

BONUS VIDEO: Intervistë me Rrahman Jasharin: Kurti dhe Nagavci e dëmtuan arsimin gjatë vitit 2023