Kryetari i Prishtinës

Çfarë parasheh plani për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, Rama jep detaje nga projekti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka prezantuar sot projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”.

Ai para mediave ka dhënë detaje mbi projektin, derisa tha se transformimi i kryeqytetit është duke ndodhur

“Nga RTK deri te Grandi do të krijohet një hapësirë me elemente të artit, elemente urbane. Ideja është që sheshet të jenë të sigurta për të gjitha moshat, e po ashtu të përshtatshme për artistë. Katedralja e cila është e rrethuar me mur të vogël, kemi propozuar të hapet dhe të jetë e hapur për të gjithë qytetarët. Në aspektin e materialit, do të largojmë elementet e asfaltit që nuk janë ambientale”, tha ai.

Tutje, Rama tregoi edhe për dy parkingje nëntokësore që do të krijohen.

“Ideja është që sheshi të zgjatet deri te Xhamia e Madhe, momentin kur ajo hapet, pasi aty do të ketë parking nëntokësor. Po ashtu do të ketë parking nëntokësor te rrethi me flamur, dhe një treg të ri. Rreth 75% e qytetarëve do të kenë qasje drejtpërdrejt te transformimet urbane”, pohoi Rama.

Tutje i pari i Prishtinës foli edhe për ndërtimin e rrugës A, ndërtimin e një nënkalimi Dardani – Emshir, dhe ndërtimin e shkollave.

Rama tha se plani për transformimin do të zgjatë rreth tetë vite, por që do t’ia kthejnë jetën kryeqytetit dhe nuk do të ngulfatën hapësirat publike.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Arbër Sadiki, tha se po bëjnë atë që të gjitha shtetet bëjnë, dhe se pranë institucioneve kryesore duhet pasur sheshe.