Çfarë ndryshimesh i ka sjellur zhvillimi teknologjik, më saktë interneti gazetës?

Shkruan: Brahim Thaçi

Media na erdhi nëpër kohë, si ngjarje brenda një ngjarje, e domosdoshme në të kaluarën, jetike në të sotmen, e varur në të ardhmen që ndoshta nuk do të jetë më ngjarje.
I quajtur si “Pushteti i katërt”, përballë tri pushteteve tjera, si duket organizon realitetin ku dominimi në masë vihet si qëllim kryesor. Përfaqësohet në gjenerata të ndryshme, mbështet nevojën e asaj që duket e papërmbajtshme si nevojë e një konsumi për një përditshmëri të vazhdueshme.

Nëse për gjyshin është e mirëqenë nevoja e leximit të gazetës ditore për të kuptuar ngjarjen e djeshme, për nipin ngjarja vjen çdo minute e second e freskët dhe vizuale përmes teknologjisë.

Ne pajtohemi se të dy gjeneratat informohen, dhe e ndjejmë të nevojshme çdo ditë konsumin e mediave, megjithëse gjyshit kanë filluar ti shfaqen probleme të moshës, sepse nuk ka mundësi të dale të blejë gazetën në qytet. I mbyllur në shtëpi e ka shfrytëzuar mundësinë që përmes televizorit të marrë informacionet, por aty moderatorët flasin shpejtë dhe veshët e sytë janë mësuar tashmë me gazetë, sepse syzet verifikojnë ngjarjen dhe e bëjnë më të besueshme për te.

Nipi i tij student ka jetë dinamike dhe koha për te është e vlefshme. Ai ka vendosur të studioj dhe përmes internetit kërkon mundësitë më të mira e më të lira të informohet dhe të organizojë jeten e tij në të ardhmen.

Brenda disa minutash, ai shfleton vetëm titujt në gazeta online, webfaqe dhe portale të ndryshme, e gjyshi ka kohë të mjaftushme, saqë i kushton pothuajse një orë në ditë leximi vetëm të një gazete, apo e rralla mund të ndodh që ai të blejë edhe dy apo tri gazeta kur merr pensionin e tij, sepse ka mundësi që të shohë ngjarjen dhe lajmin në disa variante.

Një ditë gjyshi i spjegoi nipit, se dje kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, e nipi i dha informacione tjera, ku para disa minutash u njoftua se ai lajm kishte qenë i rremë, se burimi i informacionit së fundi në internet, spjegoi në detale formën e rrjedhjes së ngjarjes.Debati u ashpërsua, nipi i sqaronte përmes fotografisë dhe videove në internet, por gjyshi si besonte, ai kishte më se 30 vite që i besonte gazetës.

Ngjarjen e rreme e demantoi të nesërmen gazeta por gjyshi u shqetësua aq sa nuk e zuri gjumi natën për të kuptuar të “vërtetën” e asaj që do të lexonte.Nipi ia ofroi mundësinë gjyshit të shikonte lajme e të lexonte në internet, dhe midis shumë vështirësive gjyshi u mësua të shfrytëzonte internetin edhe përmes telefonit, duke u trishtu se më në fund edhe ai po fliste me gishta.

Përvoja e leximit të gazetave, e më shumë se 30 viteve, gjyshin e kishin mësu intelektualisht saqë ishte bërë kritik i ngjarjeve dhe e kuptonte mjaft mirë situaten për momentin.

Në internet ka mundësi të shumta në sasi, por jo aq profesionale siç mund ti ofronte gazeta. Ai vërente se gazetarët që shkruanin në gazetë ishin më të përkushtuar, i ofronin më shumë burime në shkrimet e tyre, ndjente gjithashtu peshën e përgjegjësisë sepse gjyshi i ruante gazetat e ku i dihet në të ardhmen mund të ankohej në redaksinë e gazetës. Në internet ai vrente se shkruhej shpejtë e shkurt, me gabime e në shumë raste pa autorsi. Këto ia tha një ditë edhe nipit, dhe pas shumë debatesh u pajtuan që titujt ti lexonin në internet e shkrimin në gazetë, ndoshta jo pse u morrën vesh të dy, por kështu iu ofrohej ngjarja si mundësi.

Shumëçka kishte avansuar dhe gjyshi po kuptonte se nga letra po avansonte në teknologji.

Nipi po nënqeshej kur e pa gjyshin se e kishte lënë gazetën anash dhe po shfletonte në telefon.

Në mëngjes mbi tastierë gjyshi ia kishte lënë një shënim nipit :
“Tundimi për informatë, sidomos kur efekti e saj e zbulon misteriozen, ka me vete reduktimin e paqartësisë. Kur informata bëhet e vlefshme për ‘intelegjencen’ mohimi për informatën nuk është zgjidhja e duhur e momentit ngase ajo ka përgjegjësi.”

loading…