Çfarë ndodhi të dielën në QKUK: Mjeku dyshoi se tre pacientë vdiqën njëherit, Sejdiu thotë se ka ndodhur edhe më parë

Ish-drejtori i SHKSKUK’së, Basri Sejdiu ka thënë se mund të ketë qenë e rastësishme vdekja e tre pacientëve në QKUK, në një periudhë të afërt kohore. Këto deklarata ai i bëri lidhur me rastin e ditës së diel, ku dyshohet se 6 pacientë me koronavirus kanë vdekur në mënyrë të dyshimtë.

Përmes një konference për media pas shkarkimit të tij, Sejdiu ka thënë se e gjithë kjo që ka ndodhur, mund të ketë qenë rastësi.

Madje, ai thekson se raste të njëjta ka pasur edhe ditë më parë, por edhe sot duke mos dhënë më shumë detaje.

“Shkarkimi im nuk lidhet fare me këto vdekje. Vdekjet po ndodhin fatkeqësisht edhe në rajon. Ajo cfarë ka ndodhur të dielen, jam i informuar se një mjek që ka qenë kujdestar ka dyshuar se 3 pacientë kanë vdekur në periudhë të afërt kohore. Mirëpo ka ndodhur edhe sot, ka ndodhur edhe në ditë më parë.”, ka thënë Sejdiu.

Kujtojmë se mëngjesin e së dielës menjëherë pas mesnate, dyshohet se në QKUK vdiqën tre pacientë me koronavirus në një kohë shumë të afërt, ndërsa vetëm pak pas tyre edhe një tjetër.

Po atë ditë në Klinikën Infektive janë parë forca të shtuara të policisë, ku po hetohen rrethanat e këtij rasti, pasi po cilësohet si i dyshimtë.

Vlen të theksohet se ditëve  të fundit në Kosovë është përkeqësuar dukshëm situata me koronavirus, ku është vërejtur numër i madh i të infektuarve dhe viktimave.

Aktualisht në vend ka 1678 raste aktive të prekura me koronavirus, teksa 79 persona kanë vdekur si pasojë e sëmundjes.