Çfarë kishte ndodhur më 17 shkurt 1982 në Kosovë?

Analisti Fitim Salihu përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar edhe për dy ngjarje të rëndësishme të datës 17 shkurt, që sipas tij kanë lënë gjurmë në rrugëtimin historik të kombit.

E para sipas tij është themelimi i Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSShJ), teksa e dyta sipas tij ka të bëj me themelimin e Universitetit të Tetovës.

“Më 17 shkurt 1982 – fiks një muaj pas vrasjes së tre krerëve të Ilegales, Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës – përfaqësuesit politikë të organizatave kryesore ilegale të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë marrin vendim që të bashkohen në një organizatë të vetme dhe e themelojnë Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSShJ)”, ka shkruar ai.

Për sa i përket themelimit të Universitetit të Tetovës, Salihu theksoi se është ngritur mbi gjak, heronj, gaz lotsjellës e demonstrata.

“Më 17 shkurt 1995, në fshatrat Poroj dhe Reçicë e Vogël të Tetovës i zhvilloi ligjëratat e para Universiteti i Tetovës, i pari universitet ne gjuhën shqipe në Maqedoni. Universiteti ishte themeluar në dhjetor 1994 nga një grup intelektualësh shqiptarë, por ishte kundërshtuar rreptësisht nga qeveria maqedonase e Cërvenkovskit. Gjatë sulmit policor vritet i riu Abdylselam Emini. Kësisoj, si rrallë ndonjë universitet tjetër në botë, UT-ja u ngrit mbi gjak, heronj, gaz lotsjellës e demonstrata”, ka shkruar më tutje aty.

Postimi i plotë:

17 Shkurti nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së Kosovës. Dy ngjarje të tjera lanë shenjë në rrugëtimin historik të kombit tonë. Madje për njërën syresh, atë të parën, mund të thuhet se ishte gjeneratori i energjive që sollën 17 Shkurtin e Pavarësisë.

***

Më 17 shkurt 1982 – fiks një muaj pas vrasjes së tre krerëve të Ilegales, Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës – përfaqësuesit politikë të organizatave kryesore ilegale të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë marrin vendim që të bashkohen në një organizatë të vetme dhe e themelojnë Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSShJ).

Më 1983, Lëvizja e hoqi shkronjën “S” (për “socialiste”) nga akronimi i saj, kurse më 1985 do të riemërtohej si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Pas ndryshimeve politike të viteve 1990-1991, Lëvizja ndryshon sërish emrin në Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

Në prill 1993 në Kollare të Kërçovës mbahet Mledhja Konsultative e LPK-së ku u vendos të krijohet “Sektori i Rëndësisë së Veçantë”, i cili, në korrik 1993, në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPK-së të mbajtur në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë prezantoi planin për nisjen e luftës së armatosur. Më 17 dhjetor 1994, LPK-ja vendosi për emrin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ndonëse aksionet e para ky organizim i kishte kryer që në fillim të vitit 1993 në Drenas e gjetiu.

***

Më 17 shkurt 1995, në fshatrat Poroj dhe Reçicë e Vogël të Tetovës i zhvilloi ligjëratat e para Universiteti i Tetovës, i pari universitet ne gjuhën shqipe në Maqedoni. Universiteti ishte themeluar në dhjetor 1994 nga një grup intelektualësh shqiptarë, por ishte kundërshtuar rreptësisht nga qeveria maqedonase e Cërvenkovskit.

Në Poroj ligjëratat u zhvilluan falë organizimit të fshatarëve dhe posaçërisht falë dashamirësisë së mejtepit të xhamisë së fshatit, aty ku u mbajtën ligjëratat e para të UT-së.

Por, në Reçicë intervenoi Policia maqedone me njësitë e saj speciale duke u munduar ta shpërndante masën e shqiptarëve që kishin ardhur prej anekënd Maqedonisë për t’i bërë roje brezit të ri që dëshironte të studionte në gjuhën amtare.

Gjatë sulmit policor vritet i riu Abdylselam Emini. Kësisoj, si rrallë ndonjë universitet tjetër në botë, UT-ja u ngrit mbi gjak, heronj, gaz lotsjellës e demonstrata.

Edhe më pas, gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni, UT-ja dha shumë studentë dëshmorë të UÇK-së. Do të duhej të arrinte viti 2004 që UT-ja të pranohej zyrtarisht nga Kuvendi i Maqedonisë si universitet shtetëror.

Në këtë universitet kaluan dhe kalojnë shumë breza shqiptarësh të etur për dije. E, mbi themelet e atij universiteti qëndron heroi i dijes dhe arsimit shqip, Abdylselam Emini, busti i të cilit qëndron para objektit të UT-së – duke e ruajtur Universitetin sikurse në 17 shkurtin e 1995-s.

***

Foto 1 – Një numër i shtatorit të vitit 1988 i gazetës “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së.

Foto 2 – Policia maqedonase gjuan me revole, kalashnikovë e gaz lotsjellës ndaj qytetarëve të mbledhur në Reçicë të Vogël më 17 shkurt 1995.