Çfarë janë duke kërkuar në Bjellorusi aeroplanët e Shërbimit inteligjent rus-FSB

Sipas mediave dhe rrjeteve sociale, aeroplani i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë-FSB, pasditen e 18 gushtit, rreth orës 19:07 kishte fluturuar nga aeroporti ushtarak i Moskës, për të aterruar në ora 20:18 në aeroportin ushtarak të kryeqytetit të Bjellorusisë, Minsk.

Aeroplani TU-214VPU është në posedim nga FSB-ja ruse dhe përdoret për transportimin e drejtuesve të lartë dhe pjesëtarëve të njësiteve speciale të FSB-së. Zyrtarisht, as pala ruse dhe as ajo bjelloruse nuk janë prononcuar se cila ishte arsyeja e fluturimit të aeroplanit të FSB-së.

Gjithashtu me 12 gusht dy aeroplanë nga Rusia kanë pasur si destinacion aeroportin e Minskut, deri me tani nuk është raportuar se cila ishte arsyeja e fluturimit të këtyre aeroplanëve nga Rusia për Bjellorusi, në momentin kur në rrugët e qyteteve të Bjellorusisë janë duke u zhvilluar protesta kundër presidentit Aleksandër Llukashenko.

Vlen të ceket se këto fluturime enigmatike u bënë pas bisedës telefonike Lukashenko-Putin dhe premtimit të Putin se Rusia do të ofrojë ndihmë ushtarake për të mbrojtur regjimin e Llukashenkos.

Edhe përkundër demantit të Llukashenkos, se në Bjellorusi nuk ka trupa ruse, në media dhe rrjete sociale kanë qarkulluar lajme se forcat speciale ruse janë dislokuar në Bjellorusi dhe po ju ndihmojnë forcave të Llukashenkos për të shpërndarë protestuesit në rrugët e qyteteve bjelloruse.

Shërbimi inteligjent rus-FSB, është i njohur për njësitë e saja të ndërhyrjeve të shpejta “Spetsnaz”, njësi të cilat përdoren për ndërhyrje brenda dhe jashtë Rusisë. Viteve të fundit njësitë “Spetnaze” janë përdorur në luftime në Ukrainë dhe Siri. Vlen të ceket se në shkurt të vitit 2020, në Siri ishin vrarë katër pjesëtarë të njësitit komando  të “Spetsnaz”.