Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese komentet kundër ankesës së Vetëvendosjes që të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentit me të cilin Avdullah Hoti propozohet si kandidat për kryeministër, për të formuar Qeverinë e re. Express ju sjell të plotë komentet që LDK’ja ka dërguar në Kushtetuese për këtë temë.

Nga LDK’ja kanë përmendur kërkesën për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme dhe mocionin e votuar në Kuvend të Kosovës.

Ata kanë deklaruar se kanë kërkuar në mënyrë eksplicite krijimin e qeverisë së re që do të adresonte sfidat imediate që ka vendi. Kjo sipas tyre do të nënkuptonte shmangien e mundësisë për shpërndarje të Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lidhja Demokratike është arsyetuar se presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, disa herë për konsultime mirëpo, i njëjti ka refuzuar. Ata kanë përmendur edhe letrat e dërguara nga presidenti ku Kurtit i kërkohet që të propozojë mandatarin.

Partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa kanë deklaruar se pas takimit me partitë, janë dakorduar që të mos shkohet në zgjedhje, pasi që momentalisht një gjë e tillë nuk është e mundur për shkak të pandemisë. Sipas LDK’së shkuarja në zgjedhje do të rrezikonte shëndetin e qytetarëve, e se dekreti i presidentin është bërë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“GP-LDK vlerëson se Presidenti i Republikës ka të drejtë të nxjerre Dekrete, duke u bazuar ne kompetencat e tij kushtetuese, në pajtim me nenin 84 pika 4 të Kushtetutës dhe se Dekreti i Presidentit të Republikës se Kosovës është nxjerre ne pajtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, respektivisht në mbështetje te nenit 84 (paragrafi 4 dhe 14) dhe nenit 95”.

Sipas grupit parlamentar të LDK’së presidenti nuk ka të drejtë që të shpërndajë Kuvendin me automatizëm pas votimit të suksesshëm të mocionit pa e pasur vullnetin e shumicës parlamentare.

“Ne rastin konkret, sikur Presidenti do te shpërndante Kuvendin pa vullnetin paraprak te shprehur nga shumica e subjekteve politike të përfaqësuara ne Kuvend, ai ne mënyrë arbitrare do te ndërprite mandatin e deputeteve te Kuvendit, rrjedhimisht do te bënte shkelje te rende kushtetuese”, vlerësojnë nga LDK’ja.

Lidhja Demokratike i ka përmendur edhe referencat që LVV’ja ka marrë për këtë temë në Kushtetutat e vendeve të rajonit. Sipas tyre, shembuj të tillë nuk janë referencë objektive që ndihmojnë argumentet e pretenduesit, e se dispozitat kushtetuese të Kushtetutës tonë janë të qarta dhe nuk ka hapësirë për dilema.

Rrjedhimisht, LDK ka kërkuar nga Kushtetuesja që të refuzojë si të pabazuar kërkesën e Vetëvendosjes dhe të konstatojë se dekreti është në përputhje me dipozitat përkatëse të Kushtetutës së Kosovës.