Sot në shkollën ‘7 Marsi’ në Prishtinë, një nënë ka therrur me thikë një mësuese.
Mësuesja, 49 vjeçare me inicialet V.P., është plagosur nga e dyshuara (femër), 38 vjeçare me inicialet B.D.
E dyshuara, sipas Policisë së Kosovës është arrestuar dhe është konfiskuar mjeti me të cilin dyshohet se ka ndodhur plagosja.
Ballkani.info ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, e cila e ka konfirmuar rastin duke thënë se sipas informacioneve, palët nuk kanë pasur probleme të mëhershme mes vete.
“Sipas informacioneve që i kemi deri më tani, e dyshuara e ka fëmijën e saj në klasën e mësueses të cilën e ka plagosur. Fëmija është 5 vjeçar, pra është në parashkollor dhe me sa dimë deri më tani, palët nuk kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje më herët. Mësuesja ka deklaruar se e dyshuara ka hyrë në klasë dhe i është drejtuar direkt për ta sulmuar, por fatmirësisht plagët janë të vogla dhe mësuesja është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Shala.
Tutje, Drejtoresha e Arsimit ka deklaruar se mësuesja e sulmuar ka përvojë 20 vjeçare në arsim dhe asnjëherë nuk ka pasur vërejtje apo mosmarrëveshje në komunitet apo në shkollë.
Në anën tjetër, Shala ka thënë se edhe fëmija i të dyshuares e cila sulmoi mësuesen, sipas informatave, është nxënës i urtë dhe shumë i sjellshëm, andaj rrethanat e sulmit priten të zbardhen nga organet e rendit. /Ballkani.info








