Çfarë dimri po i pret kosovarët? Në pikë të verës shtrenjtohen drunjtë dhe peleti

Dy produktet e domosdoshëm për familjet kosovare, sidomos gjatë muajve të dimrit, janë shtrenjtuar. Ndonëse jemi në pikë të verës, çmimi i druve dhe peletit është rritur tepër.

Jemi në pikun e verës dhe stina e dimrit është ende larg. Por, tregtarët që merren me shitjen e druve dhe peletit, kanë filluar t’i çojnë qysh tani çmimet në “qiell”.

Ditë më parë, qytetarët e Kosovës u alarmuan për rritjen e çmimit te peletit për afro 100 për qind, shkruan Demokracia.com.

Nga një çmim prej vetëm 180 deri në 220 euro sa ka qenë gjatë vitit të kaluar, çmimi i një ton pelet këtë vit për të njëjtën sasi ka shkuar në 400 euro.

Kështu, vetëm një thes i peletit që ka sasi prej 12.5 kilogramëve, tash e tutje kushton fiks 5 euro, nga një çmim prej diku 3 eurove sa ishte.

Sipas njohësve të fushës, Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente që të vë nën kontroll tregtarët që po manipulojnë më çmime.

Përndryshe, nëse vazhdon ky çmim, qytetarët do të detyrohen që të ngrohen me energji elektrike gjatë muajve të ftoftë të dimrit, që si rrjedhojë do të rëndohej edhe më tej kriza energjetike gjatë asaj periudhe.

Por, nga dita e djeshme, alarmi është ndezur edhe për çmimin e druve. Tash një metër dru ka shkuar në mbi 50 euro.

E një metër dru që para një viti blihej për 38 euro, tash kushton 12 euro më shtrenjtë. Këtë e konfirmojnë edhe tregtarët.

“50 euro është rritë çmimi i druve, sikurse krejt senet”, thotë një tregtar.

Të njëjtën çmim e ofron edhe kolegu i tij.

“50 euro, se ka shpenzime e taksa krejt janë rritë. S’ka sen që su ngritë edhe në shërbim publik, edhe në shërbim privat”.

Edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e fundit ka treguar se lëndët djegëse për ngrohje janë disa prej produkteve që kanë shënuar rritje të çmimit të konsumit, nëse krahasojmë me periudhën e qershorit të kaluar me atë aktual.

“Buka dhe drithërat (27,7%), mishi (19,6%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), perimet (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%), kafja, çaji dhe kakao (17,9%) uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (6,2%), pijet alkoolike (7,0%), duhani (4,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (11,0%), gazi (39,3%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%)”. /Demokracia.com/