Çfarë dimë deri më tani për balonën kineze të spiunazhit mbi SHBA

Një balonë spiunazhi e Kinës së fundi është zbuluar se po fluturon mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është përgjigjur duke shtyrë udhëtimin e shumëpritur për në Kinë, duke thënë të premten se ajo “është bërë qëllimisht për të minuar udhëtimin tim”.

Ai e quajti një “akt të papërgjegjshëm.” Ndërkohë, Kina mohon që tullumbacja të jetë përfshirë në çfarëdo lloj aktiviteti të spiunazhit, duke pretenduar se është një “aeroplan civil i përdorur për qëllime kërkimore, kryesisht meteorologjike”.

Rreth balonës: Nënstruktura poshtë balonës së spiunazhit kinez, e cila besohet se ka një aparat drejtues dhe mbikëqyrës, është e madhe sa tre autobusë.

Kah po lëvizë: Tullumbacja mund të dalë nga bregu lindor i Shteteve të Bashkuara që në mëngjesin e së shtunës. Dy zyrtarë të mbrojtjes amerikane i kanë thënë CNN se tullumbacja pritet të arrijë në Bregun Lindor dhe më pas të kalojë kah deti në juglindje, pranë Carolinas. Zyrtarët amerikanë kishin thënë më parë se balona, e parë për herë të parë mbi Montana të enjten, mund të kalojë mbi “disa hapësira të ndjeshme” dhe se kanë marrë masa për ta parandaluar një gjë të tillë, përcjell Telegrafi.

SHBA nuk e ka përjashtuar mundësinë e rrëzimit të tullumbaces: Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zyrtarët e ekipit të sigurisë kombëtare kanë diskutuar opsionet duke përfshirë rrëzimin e balonës, sipas një zyrtari të lartë të administratës. Më parë, ushtria kishte këshilluar që të mos rrëzohej tullumbacja për shkak të rrezikut të rënies së mbeturinave, por situata mund të ndryshojë ndërsa balona lëviz drejt Bregut Lindor.

Përgjigja e Kinës: Kina pretendon se balona është një anije kërkimore civile. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës e përshkroi situatën të shtunën si një “aksident”.

Tullumbacja e dytë: Pentagoni njoftoi të premten në mbrëmje se një tjetër balonë spiune kineze ishte parë mbi Amerikën Latine. Është e paqartë saktësisht se ku ndodhet balona mbi kontinent – por një zyrtar amerikan tha se nuk duket se aktualisht po shkon drejt Shteteve të Bashkuara.