Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është planifikuar të vizitojë Beogradin në fillim të shkurtit.
Pas konfirmimit për vizitë të tij në Kosovë më 31 janar, Lajçak do të udhëtojë edhe drejt Serbisë.
Mediat serbe kanë raportuar se vizita e Lajçak ka të bëjë me çështjen e organizimit të një raundi të ri të bisedimeve në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradi, transmeton lajmi.net.
Poashtu është theksuar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak si fillim do të bisedojë me drejtuesit e shtetit në Koësovë për mundësinë e një raundi tjetër të dialogut, e më pas të vazhdojë drejt Beogradit.
Edhe pse nga BE-ja nuk janë dhënë detaje shtesë lidhur me këtë vizitë, në Kosovë pritet që bashkë me Lajçak të vie edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përpos deklarimit se të njëjtit do të vizitojnë Kosovën, nuk janë dhënë detaje për planifikimin e gjithë vizitës dhe takimeve të cilat do të zhvillohen.
Pritjet janë që Lajçak dhe Escobar të jenë në Prishtinë me 1 dhe 2 shkurt ndërsa më parë do të vizitojnë Beogradin.
“Takimet dhe udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së janë pjesë përbërëse e punës së tij të përditshme, të cilat ne nuk i komentojmë e as paralajmërojmë nga selia në Bruksel. Nëse i dërguari i posaçëm shkon për të takuar partnerët në rajon, njoftimet për media bëhen nga delegacionet përkatëse në terren, nëse një gjë e tillë është e përshtatshme”, është përgjigjur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në pyetjen se a është planifikuar një vizitë e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të BE-së Lajçak në Prishtinë dhe Beograd nga 31 janari deri më 2 shkurt.
Burimet në Bruksel kanë paralajmëruar se presin që në dialog të hapet edhe çështja e organizimit të votimeve për zgjedhjet e Serbisë në territorin e Kosovës.
Ka pritje që një zgjidhje eventuale të gjendet para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë që zhvillohen në fillim të muajit prill.
Duhet përkujtuar që në vitin e kaluar si fillim pati një ngërç politik në kuadër të zhvillimeve të dialogut, por që më pas disa takime edhe u mbajtën.
Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati deklaruar si fillim që çështja e dialogu nuk është primare për të, ai pati takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Pas këtij takimi, zhvillimet sa i përket dialogut u zhvilluan në fazën e përfaqësuesve si zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi si dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.
Madje në vazhdën e takimeve për dialogun i ishte dhënë zgjidhje edhe çështjes së targave të automjeteve, e cila për disa ditë radhazi pati shkaktuar pakënaqësi tek serbët në Kosovë, të cilët protestonin pas vendimit të atëhershëm të Qeverisë Kurti.







