Çerkini: Hoxhaj është i pari që ka folur për të pagjeturit në Këshillin e Sigurimit

Kryetari i Shoqatës së të Pagjeturve, Bajram Çerkini tha se Enver Hoxhaj është politikani i parë nga Kosova që ka folur për temën e personave të pagjetur në Këshillin e Sigurimit.

Gjatë homazheve te Memoriali i Personave të Pagjetur, Çerkini është takuar me kryetarin e PDK-së, të cilin e falënderoi për angazhimin për zbardhjen e fatin të personave të pagjetur.

“Njeri i parë që e ka përmend këtë temë në Këshillin e Sigurimit është ky person. Dhe kur ka pasë me udhëtu e kemi porositë me gjithë shoqen, të lutem foleni ni fjalë për persona të pagjetur. 15 minuta ka folë. Faleminderit shumë.”, tha ai.

Ndërkaq, Hoxhaj ka kërkuar nga Qeveria Kurti që në dialogun Kosovë – Serbi ta ketë prioritet të parë temën e personave të pagjetur.