Celibashi thirrje qytetarëve të mos fotografojnë votën: Rrezikoni deri në 3 vite burg

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat nga Rrogozhina ka kërkuar që qytetarët të mos joshen nga subjektet politike për të fotografuar votën.

“Fotografimi i votës përbën një shkelje të rëndë të ligjit penal, ka sanksione dënimi që shkojnë deri në 3 vjet. Do të marrim të gjithë informacionin e mundshëm në lidhje me këtë çështje”.

Gjithashtu një thirrje ai ka pasur dhe për kandidatët dhe përfaqësuesit politikë që të shmangin deklaratat me përmbajtje elektorale.

“Kandidatët të evitojnë deklarimet e tyre me përmbajtje elektorale. Kandidatët nuk kanë asnjë arsye ligjore për të shkuar brenda qendrave të votimit. Aty janë vëzhguesit, është media, janë komisionerët. Votimi familjar gjithashtu përbën shkelje. Ky është një problem, sa të kemi mundësi do ta adresojmë”.

Ndër të tjera ka thënë se procesi po shkon mirë dhe nuk ka problematika me pajisjen e identifikimit elektronik.