Çekia përjashton kompaninë shtetërore ruse “Rosatom” nga tenderi për ndërtimin e Termocentralit Bërthamorë të Dukovany

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Industrisë dhe Tregtisë i Republikës Çeke, Karel Havlicek, ka njoftuar se Çekia do të përjashtoj kompaninë shtetërore ruse “Rosatom”, nga gara për ndërtimin e Termocentralit Bërthamorë të Dukovany.

Sipas Havlicek, “Rosatom” nuk do të lejohet që të marr pjesë as si kompani nënkontraktuese, në tenderin për ndërtimin e termocentralit bërthamor, i cili pritet të kushtojë rreth 6 miliardë euro.

Ky prononcim i Zv. Kryeministrit Havlicek vije pas tensionimit të raporteve diplomatike, pasi të shtunën autoritetet çeke kanë dëbuar 18 diplomatë rusë, të identifikuar si punonjës të shërbimeve inteligjente ruse. Dëbimi i diplomateve rusë kishte ndodhur si kundërpërgjigje e implikimit të Shërbimeve inteligjente ruse në shpërthimin e depove të municionit në vitin 2014.

Pos dëbimit të 18 diplomatëve rusë, organet çeke të hetuesisë kanë futur në listën e të kërkuarve edhe dy oficerë të Shërbimit inteligjent ushtarak rusë-GRU, Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, të dy të implikuar në rastin e helmimit të Sergei Skripal, në Londër. Sipas autoriteteve çeke, Petrov dhe Boshirov kishin hyrë në Çeki në vitin 2014, duke shfrytëzuar pasaporta false të Moldavisë dhe Tagjikistanit.

Edhe pse pala çeke ka dëshmi për implikimin e Shërbimeve inteligjente ruse në shpërthimin e depos së municioneve dhe dëbimi i 18 diplomatëve rusë ndërlidhet me shpërthimin e depos, pala ruse pa asnjë arsye të dielën ka dëbuar 20 diplomatë çekë, çka ka ndikuar që Ambasade e Çekisë në Moskë të mbetet me vetëm 5 diplomatë. Kjo vetëm se ka tensionuar edhe më shumë raportet në mes të dy shteteve, andaj edhe deklarata e Zv. Kryeministrit Havlicek vije pas njoftimit për dëbimin e 20 diplomatëve çekë.