Pragë

Çekia dëbon 18 rusë për shkak të shpërthimit të madh të depove në vitin 2014

Republika Çeke ka njoftuar të shtunën se ka dëbuar 18 diplomatë rusë të cilët i ka identifikuar si spiunë në një çështje që lidhet me një shpërthim të depos së municioneve në vitin 2014, njofton AP.

Kryeministri Andrej Babis ka thënë se vendimi bazohet në “prova të qarta” të siguruara nga shërbimet e inteligjencës dhe të sigurisë çeke që tregojnë përfshirjen e agjentëve ushtarakë rusë në shpërthimin masiv në një qytet lindor që vrau “dy njerëz të pafajshëm”.

Ministri i Brendshëm, Jan Hamacek, i cili po shërben gjithashtu si ministër i Jashtëm i vendit, ka thënë se personeli prej 18 njerëzve i ambasadës ruse u identifikuan qartë si spiunë ushtarakë rusë dhe u urdhëruan të largoheshin nga vendi brenda 48 orësh.

Shpërthimi ndodhi më 16 tetor 2014, në një depo në qytetin Vrbetice që kishte të depozituara 50 tonë metrikë municion, që shkaktoi dy viktima. Një shpërthim tjetër me 13 ton municion ndodhi në depo më 3 dhjetor të po këtij viti.