Çekia arreston kreun e federatës së futbollit të Bjellorusisë, hyri në këtë shtet kundërligjshëm

Kreu i Federatës së Futbollit të Bjellorusisë, Vladimir Bazanov, është arrestuar në Republikën Çeke bashkë me gruan e tij, nën dyshimin se kanë shkelur rregullat e hyrjes në këtë vend, raportojnë mediat çeke. Policia ndaloi Bazanovin para ndeshjes mes ekipeve të futbollit të femrave të Republikës Çeke dhe Bjellorusisë në fazën kualifikuese të Kupës së Botës.

Zëdhënësja e policisë çeke, Pavel Jiroushkova, konfirmoi se dy të huaj u arrestuan gjatë një kontrolli rutinë në vendbanimin e tyre të martën.

“Ata dyshohet se kanë hyrë në Republikën Çeke në kundërshtim me masat aktuale mbrojtëse të Ministrisë së Shëndetësisë. Ne kontrollojmë edhe ligjshmërinë e qëndrimit të tyre në territorin tonë në përputhje me ligjin për qëndrimin e të huajve”, tha ajo.

Më herët, ministri i Jashtëm çek Jakub Kulhanek tha se nëse Bazanov arrin në Republikën Çeke, ai do të deportohet. Për më tepër, Kulhanek shtoi se departamenti në atë kohë nuk kishte informacion për praninë e Bazanov në vend. Në vitin 2020, kreu i Federatës së Futbollit të Bjellorusisë, Bazanov, u përfshi në listat e sanksioneve të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, së bashku me zyrtarë të tjerë bjellorusë.

Vendet e lartpërmendura u kanë ndaluar atyre që konsiderohen të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi dhe shtypjen e protestave të mëvonshme të kalojnë kufirin e tyre dhe të kenë pasuri në territoret e tyre.