Çeki, punëtorët që e marrin vaksinën kundër COVID-19 fitojnë dy ditë pushim me pagesë

Qeveria e Çekisë ka bërë të ditur të premten se punëtorët shtetëror të cilët e kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 kanë të drejtë për t’i marrë dy ditë pushim që do të jenë me pagesë nga shteti.

Kjo ofertë për pushim është e vlefshme deri në fund të vitit 2021, tha kryeministri çek Andrej Babis në një konferencë shtypi në Pragë.

Ai inkurajoi qeveritë rajonale ta ndjekin këtë shembull, si dhe nxiti kompanitë private të inkurajojnë punonjësit e tyre që të marrin vaksinën.

Vendimi për të ofruar ditë pushimi falas për ata që vaksinohen është kritikuar nga partitë opozitare, të cilat e hodhën poshtë këtë duke e quajtur si një gjest populist përpara zgjedhjeve legjislative të tetorit.

Por Babis u tha gazetarëve se qeveria e sheh vaksinimin si “gjënë më vendimtare” dhe se “vazhdimisht do ta promovojë atë”.

Rreth 62.6% e popullsisë së moshës madhore në Çeki kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 54.2% janë të vaksinuar me të dyja dozat, shkruan Euronews.