Çdo i pesti fëmijë në Rusi është nën kufirin e varfërisë

Sipas të dhënave për vitin 2020 të Bankës Botërore, çdo i pesti fëmijë në Rusi jeton në një familje me të ardhura nën nivelin e jetesës. Kjo po shihet si shumë shqetësuese nga njohësit e ekonomisë, pasi shifrat e varfërisë janë rritur krahasuar me vitet e kaluara.

Në fund të vitit 2020, pothuajse 23% e fëmijëve rusë nën 18 vjeç jetonin në familje me një nivel të ardhurash monetare nën nivelin e jetesës, vijon nga rezultatet e studimit të Bankës Botërore “Treguesit socio-ekonomikë të varfërisë”.

Bazuar në të dhënat niveli i varfërisë midis fëmijëve është pothuajse dyfishi i treguesit kombëtar: në total, në fund të vitit 2020, 18.4 milionë njerëz, ose 12.6% e popullsisë, jetonin nën kufirin e varfërisë, përfshirë këtu edhe fëmijët.

Shkalla më e lartë e varfërisë në mesin e fëmijëve, 49.4%, është në kategorinë e familjeve të mëdha. Pjesa e fëmijëve që jetojnë në familje rurale me të ardhura të ulëta ishte gjithashtu e konsiderueshme, në nivelin 40.6%.

Shkalla e varfërisë së fëmijëve në baza vjetore u rrit ndjeshëm në 2015 me 27.4% kundrejt 20.7% në 2014. Sidoqoftë, niveli i varfërisë së fëmijëve në Rusi mbetet i lartë dhe ky është një problem sistematik për vendin, tha Tatyana Maleva, drejtoreshë e Institutit për Analizë Sociale dhe Parashikime, RANEPA.

Një tipar i Rusisë janë grupet atipike të rrezikut të varfërisë krahasuar me vendet e tjera – familje me fëmijë dhe të varfëritë që punojnë, vuri në dukje ajo.

Këto dy grupe mbivendosen me 40-50%, dhe arsyeja kryesore e varfërisë së fëmijëve janë të ardhurat e ulëta të prindërve, të cilat nuk mbulojnë nevojat e familjes, shpjegoi Maleva.

Në vitin 2020, të ardhurat mesatare të parave të gatshme për një familje ishin 10 mijë rubla (afër 100 euro), që nuk e mbulojnë as kërkesën minimale. Në strukturën e shpenzimeve, pothuajse gjysma (48.6%) janë shpenzuar për ushqim. Pothuajse 90% e familjeve me të ardhura të ulëta nuk kishin mundësi të blinin mallra të qëndrueshme, si frigorifer, lavatriçe, fshesë me korrent, etj.