“Çdo hyrje-dalje në dhomën e përgjimeve në Telekom regjistrohet nëpërmjet kartelave dhe domosdo lë gjurmë”

Avokatit Arianit Koci, ka komentuar debatin të nisur nga presidenti Hashim Thaçi që akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe “grupin e tij” për ndërhyrje në “dhomën e përgjimeve”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Koci ka dhenë sqarime për funksionimin e kësaj pjese të Telekomit.

Ai ka thënë se kushdo që i qaset grupit të pajisjeve që e mundëson përgjimin ligjor në kuadër të Telekomit të Kosovës, domosdo lë gjurmë.

“Operatorët e rrjetit apo operatorët e infrastrukturës publike të komunikimit elektronik, te ne Telekomi i Kosovës (Vala) dhe IPKO sipas nenit 19 të Ligjit nr. 05/L-030 për përgjimin e komunikimeve elektronike, obligohen që me shpenzime të veta ta realizojnë infrastrukturën e nevojshme në rrjetin e tyre për të siguruar aftësinë përgjuese ndaj përdoruesve që i shfrytëzojnë shërbimet e telekomunikimeve të tyre. Në Telekomin e Kosovës (Vala), si operator i parë pas luftës, procedurat dhe rregullat fillestare rreth funksionimit të kësaj pjese skajshmërisht të ndjeshme të një operatori telefonik i kanë vendosur KFOR-i dhe Shtylla IV e UNMIK-ut. Kjo njësi funksionon në kuadër të Valës, por funksionon e pavarur dhe madje edhe hyrjen e ka të veçantë”, ka thënë Koci.

Koci thekson se çdo hyrje-dalje në objekt regjistrohet nëpërmjet kartelave e se numri i personave që mund të hyjnë në këtë pjesë është i limituar, dhe se gjasat janë “zero që pa lënë gjurmë të nxirren shënimet, apo Meta Datat”.

“Në terminal, apo në grupin e pajisjeve që e mundëson përgjimin ligjor mund të operojnë jo më shumë se 3 persona. Secili prej tyre hyn me kodin e përdorimit, apo ‘user code’. Terminali është i konceptuar ashtu që mund të operohet vetëm nëpërmjet ‘userave’. Pra, kushdo që i qaset terminalit, domosdo lë gjurmë. Përveç kësaj, sipas nenit 30 të ligjit të lartpërmendur, operatorëve të rrjetit dhe ofruesve të shërbimeve nuk u lejohet t’i ruajnë Meta Datat (bisedat, mesazhet etj.) për një periudhë më shumë se nëntë (9) muaj kalendarik. Pra, në supozimin që dikush i paautorizuar mund të ketë hyrë në Dhomën e përgjimeve ligjore – kjo identifikohet lehtë, ndërsa në rast të çdo ndërhyrjeje në terminal mbetet gjurmë. Po ashtu, nuk ka mundësi që të merren të dhëna, apo Meta Data më të vjetra se nëntë (9) muaj, se ato fshihen rregullisht”, ka shkruar në fund Koci.

Pas deklarimit të Thaçit, se Albin Kurti, Haki Abazi e Xhelal Sveçla kanë vizituar dhomën e përgjimeve në Telekom duke ndalur kamerat, Prokuroria ka bërë të ditur se ka nisur hetimet.