Ministri i Jashtëm

Çavusoglu i kërkon Pacollit deportimin edhe të gylenistëve tjerë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i ka hapur temën e deportimit të gylenistëve edhe homologut kosovarë, Behgjet Pacolli.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu tha se Turqia do të kontribuoj në njohjen e Kosovës nga ato vende që nuk e kanë njohur derisa tha se do të vazhdojnë bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme.

“Sot jam në vendin vëlla dhe mik në Kosovë. Në takimet që realizuam ramë në ujdinë se duhet të vazhdojmë edhe më tutje me këto raporte. Ne me popullin e Kosovës kemi lidhje historike dhe integriteti territorial i Kosovës është bazë për ne. Ne do të bisedojmë edhe me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Në integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë jemi duke u angazhuar. Kemi arritura të mëdha, ne e mbështesim edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe paqen e konsiderojmë të rëndësishme. Ne si Turqi i kushtojmë rëndësi të madhe edhe stabilitetit. Antarësimi i Kosovës në Interpol. Ne do të luajmë rol kyç që Kosova të anëtarësohet. Firmat turke në Kosovë janë në rritje e sipër dhe duam që këtë partneritet ta vazhdojmë”.

“Fetoja është një organizatë terroriste dhe nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla të tilla. Ne nuk duam që vendi jonë vëlla t’i lejoj terroristet të jetojnë këtu dhe duam që t’i kthejnë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, nuk përmendi çështjen e gylenistëve. Ai tha se bashkë me homologun e tij kanë folur për bashkëpunim për të gjitha fushat derisa tha se mori premtimin e ministrit për përkrahje të Kosovës në tema të mëdha.

“Kemi mikun tonë historik në vizitë. Unë pata një takim bilateral të delegacioneve dhe kaluam në tema të rëndësishme që janë prezentë në politike dhe ekonomi. Folëm për ndihmën që Turqia gjithmonë i ka dhënë Kosovës. Është një nga vendet e para që e ka njoftë Kosovën, dhe e ka mbështet atë. Kosova do ta kishte të vështirë të ecte në tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë. Ne biseduam për sfidat dhe të arriturat. Kosova tani gjendet para disa sfidave për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Unë e njoftova edhe për dialogun. Nuk mungoi premtimi i Turqisë dhe premtoi që edhe këtu do të na mbështes. Kosova është para anëtarësimit në Interpol, dhe sfida është që vendet që e kanë njoftë Kosovën nuk e kanë paguar një pagesë që i detyrohet Interpolit dhe ato nuk mund ta votojnë Kosovën, nuk janë pak janë 17 shtete. Me Turqinë kemi më shumë se 22 marrëveshje dhe këto nuk do të ndalën”, tha ai.