Cantona beson se Mourinho nuk është trajneri i duhur për Unitedin

Ish futbollisti i Manchester United, Eric Cantona e ka ndjenjën se raporti i Jose Mourinhos me Manchester United është i njejtë me atë të një burri që nuk është përshtatur me gruan e tij.

Cantona beson se Mourinho nuk është njeriu i duhur për të drejtuar “Djajtë e Kuq”, teksa thotë se është një torturë t’i përcjellë ndeshjet e klubit nga “Old Trafford”.

Legjenda franceze mendon se duhet t’i jepet mundësia ish futbollistëve të Manchester Unitedit ta menaxhojnë skuadrën pasi që e njohin nga afër ambientin, ndërsa përmendi rastet e Zidane te Real Madridi, Guardiolas te Barcelona dhe Contes te Juventusi.

“Te United kurrë nuk i jepet mundësia ish lojtarëve që të drejtojnë skuadrën, është një gjë negative sepse ata e njohin identitetin dhe fiilozofinë e klubit. Nuk dua që njerëzit të mendojnë se e kam për vete e se dua të ulem në stolin e Unitedit. Është vetëm një e vërtetë, p.sh Ryan Giggs ose cilido nga ta që dëshiron të bëhet trajner”, u shpreh Cantona.

Manchester United rradhitet në vendin e 10-të në Premier League me 14 pikë, gjersa nesër e pret në shtëpi Evertonin.