Canaj kritikon qeverinë: Po qeverisin shkelësit e Kushtetutës, ftohja e marrëdhënieve me SHBA paraqitet si e arritur

Blerim Canaj, njohës i çështjeve politike dhe ish-diplomat, përmes një shkrimi ka ka kritikuar qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, duke ironizuar me qeverinë, për të cilën ai thotë se si të arritur e paraqet ftohjen e marrëdhënieve me SHBA-të, të cilat janë edhe garantues të pavarësisë, shtetësisë dhe sigurisë së Kosovës.

Canaj në një postim në rrjetin social “Facebook”, ironizon duke thënë se ‘’jemi në rrugë të mirë’’, për arsyen se Kosova është shteti i vetëm në të cilin udhëheqin shkelësit e kushtetutës.

Po ashtu, Canaj shton edhe që “jemi i vetmi shtet i cili të arritur e sheh kthimin mbrapa”.

Postimi i plotë:

„Jemi në rrugë të mirë“ sepse:

1. Jemi i vetmi shtet në botë i cili ka ministre të dikasterit më të rëndësishëm të vendit, pra Ministrinë e Jashtme e të cilën publikisht në KS ministri i jashtëm i shtetit më armik e kishte falënderuar për ndihmën e dhënë shtetit të tij në betejën gjyqësore ku po mbrohen vlerat e luftës dhe baza e këtij shteti, e ne vazhdojmë ta kemi ministre. Ne asaj i brohorisim por në një shtet normal me kryeministër e qeveri normale, ajo tani do të ishte nën hetime edhe atë për tradhti!

2. Jemi i vetmi shtet i cili të arritur e sheh kthimin mbrapa. Nëse kishim arritur që pas shumë viteve zgjedhjet në Kosovë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës të i organizojë KQZ e jo më OSBE sikur para shpalljes së pavarësisë, tani kur jemi kthyer mbrapa dhe zgjedhjet në veri i organizon OSBE, ajo paraqitet si e arritur.

3. Ftohja e marrëdhënjeve me sponzorizuesin dhe garantuesin e pavarësisë, shtetësisë dhe sigurisë, pra me SHBA edhe atë pas investimit me dekada për ruajtjen e këtyre marrëdhënjeve paraqitet si e arritur!

4. Jemi i vetmi shtet, në të cilin qeverisin shkelësit e kushtetutës, e mbrojtësja e kushtetutës nuk e thotë asnjë fjalë! Madje ka gjasa që ajo vet të jetë një nga shkelësit!

E ka ende trushpërlarë dhe „analfabet funksional“ (citat i marrë nga Albin Kurti) që i brohorisin tërë kësajë…pra, jemi në rrugë të mirë…gati sikur të zhbërjes!