Kosovë

Cameron: Jemi mbështetës të mëdhenj të Kosovës, po ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat

Kryediplomati britanik, David Cameron tha se pati një takim të mirë me zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla sot në mëngjes, ndërsa në një konferencë për media shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Cameron tha se me Gërvallën folën për sigurinë, ekonominë dhe punësimin.


“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, tha fillimisht Cameron.

“Ne jemi krenarë me faktin se Britania luan një rol të madh në KFOR. Ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, ne kemi folur për sigurinë, kemi folur për ekonominë tuaj e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj. Dhe ne kemi folur për luftën tuaj kundër korrupsionit dhe atë që po bëni për të vendosur sundimin e ligjit dhe për të ndërtuar qeverisjen e mirë këtu në Kosovë. Të gjitha këto janë fusha ku ne po ndihmojmë. Ne duam të vazhdojmë të ndihmojmë”, tha ai.

Ish-kryeministri britanik tha se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e madhe e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe se Kosova ka të drejtë të njihet nga shtetet tjera si e tillë dhe të bëhet anëtare e familjes së kombeve.

“Por ne themi se sepse ne jemi një përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, sovranitetit të Kosovës dhe Kosova ka të drejtë që të njihet nga të tjerët si një vend i plotë sovran dhe anëtarë i familjes së kombeve. Kemi pasur një takim të mirë me kryeministrin tuaj mbrëmë. Mezi pres të takohem me presidenten tuaj dhe do të takohemi me trupat tona dhe të tjerët më vonë sot”, tha Cameron.

BONUS VIDEO: Rrahman Jasharaj tregon se kur ka qenë nxënës janë rrahur klasë me klasë për shkak të mësueses