David Cameron

Cameron: Izraeli duhet të mendojë përpara veprimeve të mëtejshme në Rafah

Izraeli duhet të ndalet dhe të mendojë seriozisht përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm në Rafah, tha të hënën sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, pas sulmeve ajrore në qytetin jugor të Gazës, që është streha e fundit e rreth një milion civilëve të zhvendosur.

Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se 67 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmet ajrore, nën mbulesën e të cilave Izraeli liroi dy pengje.

I pyetur për situatën në Rafah dhe nëse Izraeli kishte shkuar përtej ligjit ndërkombëtar, Cameron u tha gazetarëve: “Ne mendojmë se është e pamundur të shihet se si mund të bëni një luftë mes këtyre njerëzve. Nuk ka ku të shkojnë”.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën dhe duam që Izraeli të ndalojë dhe të mendojë shumë seriozisht përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. Por mbi të gjitha, ajo që duam është një pauzë e menjëhershme në luftime dhe ne duam që kjo pauzë të çojë në një armëpushim”, tha Cameron.