Ministri

Caktohet data e gjykimit të Pal Lekajt

Pasi që Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje rastin e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerëve, për vepra që ndërlidhen me korrupsion, Gjykata e Gjakovës për këtë rast ka caktuar datën 3 janar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit Shaqir Zika.

Prokuroria pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, e bashkë me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin, Dafina Thaqin dhe Veli Hajdaragën, kanë manipuluar me shpërndarjen e subvencioneve.

Mirëpo, Gjykata e Apelit rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e ka kthyer në rivendosje.

Për veprën penale me të cilën ata ngarkohen Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Ndërsa sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Gjykata e Gjakovës e kishte hedhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Apeli, raporton KALLXO.com.

Kundër vendimit të Gjykatës së Gjakovës, avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që Gjykata kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL” në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.