Cakaj tregon tri arsyet pse është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur për “krisjet” që ka pasur me Lëvizjen Vetëvendosje.

Cakaj në RTV Dukagjini, ka thënë se ka pasur tri arsye pse ai është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Refuzimi i Vetëvendosjes për Marrëveshjen e Rambujesë në atë kohë. Unë kam ruajtur bindjen se nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë ka qenë i domosdoshëm. Mos nënshkrimi i saj do të ishte regres i madhe për Kosovën”.

“E dyta ka qenë se mënyra se si është vlerësuar Plani i Ahtisarit dhe procesi i negociatave të Vjenës. Unë kam konsideruar se nuk ka pasur asnjë rrugë tjetër politike e diplomatike për të siguruar njohje ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. Prandaj Pako e Ahtisarit nuk ka qenë një produkt shumë i mirë në vetvete, por si element i patjetërsueshëm për Pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj”.

“E treta ka qenë qasja që Vetëvendosje ka pasur ndaj Pavarësisë së Kosovës. Për ta ka qenë një hap para e tre hapa mbrapa, ndërkaq për mua ka qenë një hap gjigant historik i cili ka transformuar rrënjësisht historinë e shqiptarëve në përgjithësi”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se me këto pikëpamje politike ishte ndarë me Vetëvendosjen.

Ai thotë se me Behgjet Pacollin ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe një bashkëpunim edhe më të mirë shpreson të ketë me qeverinë e drejtuar nga Vetëvendosje.