Cakaj: Nuk kam çështje të hapura me Haradinajn, por nuk rri i heshtur karshi fakteve kokëforta

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur për akuzat që ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë në drejtim të tij se kinse ka lobuar për shkëmbime territoresh.

Cakaj në RTV Dukagjini, ka thënë se ai asnjëherë nuk ka lobuar ide të tilla.

“Unë nuk e kam mbështetur politikisht e as publikisht atë ide [shkëmbimin e territoreve]”, tha ai.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se e shqetëson fakti që politikanët e Kosovës, përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve po i fshehin duke akuzuar Tiranën zyrtare.

“Ata po bëjnë mbulesë të përgjegjësive të tyre qeveritare me akuza ndaj Tiranës zyrtare”.

Cakaj thotë se Shqipëria nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës pasi nuk është në tavolinat e negociatave.

“Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë që ndryshimet e mundshme të kufijve mund të kalojnë vetëm përmes ratifikimit në Kuvend”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, thotë se me Haradinajn nuk ka asnjë çështje të hapur dhe se do të ruaj raportet zyrtare me Kosovën.

“Por natyrisht karshi fakteve kokëforta, nuk mund të qëndrojë i heshtur”, deklaroi më tej Cakaj.