Ministri i Jashtëm

Cakaj: Jam krenar që isha në VV, por edhe më krenar që u largova

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se është krenar që kanë në Vetëvendosje, por është edhe më krenar që është larguar.

Sic tregon ai, në kohën e anëtarësimit, ka qenë 15 vjeçar dhe u larguar pak pa i mbushur të 18-tat.

“E kam nënvizuar shumë herë, unë kam qenë pjesë e VV kur kam qenë 15 vjecar. Jam anëtarësuar në moshën 15 vjeçare, dhe jam larguar pak pa i bërë 18 vjet. Sot natyrisht jam më i pjekur dhe shumë më i shkolluar e shumë më i ditur, dhe unë fare lehtë mund të them se distancohem nga e kaluara ime por nuk e bëj. Unë jam shumë krenar për të kaluarën time në VV, po ma shumë se për të kaluarën, jam krenar që jom dalë prej VV-së”, ka thënë Cakaj për Reporterin.

Ndër të tjera, ai thotë se ka shërbyer me përkushtim në këtë parti, mirëpo me zhvillimin intelektual ka zgjedhur një rrugë tjetër pavarësisht, sic thotë ai, presioneve dhe fushatave.

“Unë kam shërbyer në Lëvizjen Vetëvendosje me kapacitet maksimal, me plot zemër, me aq sa kam pasur kapacitet dhe për aq sa horizontet e mia intelektuale më kanë mundësuar. Me zhvillimin tim intelektual, unë kam zgjedhur një rrugë tjetër pavarësisht presionit e pavarësisht fushatave tjera”, ka thënë ai.