Çaj për dobësim, Policia e Kosovës konfiskon 1634 pako në vlerë mbi 44 mijë euro

Policia e Kosovës ka konfiskuar të enjten mbi 1600 pako të çajit për dobësim në vlerë mbi 44 mijë euro.

Policia në njoftimin për media bën të ditura detajet se si ka ardhur deri te konfiskimi i këtyre pakove.

“Të enjten, rreth orës 21:10 njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare-lindje-Kaçanik, ka identifikuar një automjet me targa vendore i cili ishte duke ardhur nga fshati Tanushë-Republika e Maqedonisë së Veriut në drejtim të fshatit Debëlldeh-RKS.

Njësia e lartcekur në rrugën Debëlldeh-Binqë pasi e ka sinjalizuar për ndalje automjetin e dyshuar, personi i dyshuar/drejtuesi i mjetit, ka tentuar që të kthehet mbrapa në drejtimin nga fshati Debëlldeh –Tanushë.

Njësitë policore, pasi kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I. B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 (një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa malli dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.