Buzhala: Nuk më ka hequr askush nga T7 dhe Gazeta Express

Gazetari Berat Buzhala ka thënë se askush nuk e ka larguar nga mediat, të cilat i drejtonte, që janë televizioni T7 dhe Gazeta Express.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka theksuar se ishte moment satirik, pasi në ditën kur ai e bëri të ditur dorëheqjen e tij, Lëvizja Vetëvendosje fitoi një numër të vogël të komunave nga zgjedhjet lokale të këtij viti.

“Rivaliteti im me LVV-në nuk është sekret, jo vetëm me LVV-në, por mobilizimi i tyre është aq i madh, pastaj ajo nxit edhe kundërreagim. Unë nuk u kam përtuar këtyre gjërave, unë polemika kam pasur edhe me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe të tjerë. Por, nuk kishte kaluar në këtë nivel, kur edhe baza të sulmon. Me politikanët e tjerë ka qenë më ndryshe”.

“Me Thaçin dhe të tjerë ke polemizuar personalisht, por nuk më ka ndodhur në rrugë që njerëzit e PDK-së të më thonë se pse po e sulmon Thaçin. Me LVV-në është një dinamikë e re dhe e pazakonshme për ne. Në të kaluarën, jo vetëm militanët e LVV-së, por edhe zyrtarë më të lartë të këtij subjekti, të cilët në momentin që dikush është larguar nga ndonjë vend, e patën krijuar një shprehje se e hoqi Albini atë person nga puna”.

“Unë kisha një marrëveshje se do të qëndroja deri në fund të fushatës zgjedhore. Ishte edhe një moment satirik, që pasi këta i humbën zgjedhjet dhe unë thashë se nuk kam më nevojë të qëndroj në Express dhe T7. Edhe nëse LVV-ja do t’i fitonte 50 përqind të votave, unë do të kisha bërë të ditur dorëheqjen time. Por, dëshiroja ta paraqes në vazhdën e trikave medialë si të tillë dorëheqjen, edhe pak për t’i provokuar militantët e LVV-së”.

“Nuk më ka hequr askush nga T7 dhe Gazeta Express. Kam qenë bashkëpronar dhe bashkëthemelues. Expressin e kam bërë me punën time, ndërsa T7 doli nga Gazeta Express. Asnjëherë, deri në momentin që kam dalë nga aty, Express dhe T7 nuk kanë pasur as kredi në bankë”, ka thënë Buzhala.