Buzhala: Nëse është nevoja, të gjithë gazetarët të ngujohemi në Klan Kosova për grevë (VIDEO)

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar pas vendimit të sërishëm të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës që televizionit Klan Kosova t’i pezullohet certifikata e biznesit.

Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se nëse shfaqet nevoja, të gjithë gazetarët duhet të bëhen bashkë edhe të hyjnë në grevë për t’i dalë në mbrojtje këtij institucioni.

“Në kuptimin e parë të fjalës, do të thotë grevë-grevë. Të gjithë gazetarët duhet të vijnë nëse eskalon situata, duhemi të vijmë në Klan Kosova, duhemi me u blloku në Klan Kosova, le të bëhet lajm botëror, pra le t’i kalojë kufijtë e Kosovës ky sulm i Qeverisë Kurti”, ka deklaruar Buzhala.

Drejtuesi i gazetës online “Nacionale”, ka theksuar se të gjithë gazetarët duhet të jenë të gatshme të sakrifikojnë për të mirën e përbashkët të medieve.

“Pra ne duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë sepse një sakrificë aktuale mund të na e hapë rrugën për të ardhmen. Nëse aktualisht ne e kthejmë kokën në anën tjetër dhe themi hajt le të shkojë Klan Kosova – kemi shkuar të gjithë ne si media sepse Qeveria Kurti nuk ka asnjë argument që Klan Kosova ka bërë raportime të shtyra prej interesave të shteteve tjera”, ka thënë më tej ai.

Tutje, ai ka thënë se të gjithë i dinë lajmet dhe debatet që transmetohen në këtë medium, duke shtuar se Klan Kosova është mediumi profesional, i fuqishëm dhe më i madhi në vend.