Buxheti zhvillimor i Komunës së Bujanocit

Pak ditë para se të ndahemi nga viti i vjetër Asambleja komunale e Bujanocit, ka miratuar  buxhetin për vitin 2019, në vlerë prej 1.060.463.520 miliardë dinarë, nga më të mëdhenjtë, që njeh deri tani historia e kësaj komune.

Njeriu i parë i ekzekutivit Shaip Kamberi, kryetar komune, vlerëson lartë aprovimin e këtij buxheti, duke e cilësuar atë zhvillimor në shumë fusha të veprimtarisë infrastrukturore, ekonomike, bujqësore e shoqërore.

Buxheti i planifikuar për vitin që po vjen, sipas kryetarit Kamberi, përveç planifikimit të mjeteve për shfrytëzuesit e drejtpërdrejtë dhe indirekt të këtyre mjeteve (administrata komunale, ndërmarrjet, institucionet dhe shkollat), ai, parashikon të realizojë një sërë projektesh infrastrukturore të rëndësishme për nevojat e qytetarëve në Bujanoc.

Njëri nga projektet më kapitale të Komunës së Bujanocit, për vitin 2019, konsiderohet asfaltimi i rrugës Muhoc-Zarbicë, në lartësi prej 40.000.000,oo din. rreth 400 mijë euro, projekt ky shumë i rëndësishëm për banorët e Malësisë së Bujanocit, të cilët prej vitesh e kanë ëndërruar realizimin e tij.

Pushteti aktual i Shaip Kamberit, është ai, i cili po e çon në vend kërkesën e kahmotshme të banorëve të Malësisë, për asfaltimin e rrugës jo me pjesëmarrjen e qytetarëve në financimin e saj, siç patën planifikuar pushtetet e mëparshme.

Jo më pak të rëndësishme janë edhe projektet e tjera në fushën e subvencioneve për bujqësi me  22.400.000,oo din, pastaj, subvencione në biznes me 10.000.000,oo, bursat e studentëve me 10.000.000,oo din, projekti i modernizimit të ndriçimit publik me 15.000.000,oo din, renovimi i Shtëpisë së Kulturës, ndërtimi i tregut të kafshëve , sistemi për furnizim me ujë  të pijshëm, donacionet për sport, për media, për SHKA-të e për OJQ-të.

Partia opozitare në Komunën e Bujanocit, ajo e Partisë Demokratike, buxhetin komunal për vitin 2019 e vlerësoi si pushteti i kuotave “me shqiptarët për serbët” për asfaltimin e rrugicave, për  ekskursione, shëtitje, ahengje, ndeja, joshje të militantëve partiakë me seminare etj.

Kjo parti opozitare e Nagip Arifit, si ajo tjetra e Aleksandër Vuçiqit, duhet ta kenë të qartë se para dy vjetësh, kur ishin në pushtet, më 2016, miratuan buxhetin komunal në lartësi prej 938.095.000 milionë dinarë, të cilin buxhet opozita e atëhershme e pat quajtur “buxhet zgjedhor”, “buxhet për mbulimin e gropave” etj.

Pavarësisht kritikave tendencioze të opozitës, buxheti komunal për vitin 2019, është më i lartë se ai i viteve paraprake, përkundër disa zërave të papërgjegjshëm opozitarë, të cilët e keqpërdorin foltoren e Kuvendit Komunal, për poena të lirë politikë, të cilët i kanë humbur prej kohësh, duke akuzuar, shpifur e shantazhuar  vazhdimisht, jashtë çdo etike dhe forme të rregullores së këtij institucioni të lartë të pushtetit vendor .

Sevdail Hyseni