Bedri Hamza
Buxheti për vitin 2019: Sektorit të Arsimit i ndahen rreth 300 milionë euro
Gjatë ditës së sotme ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku si pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i projektligjit për Buxhetin e vitit 2019.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka diskutuar rreth projekteve dhe pritjeve që kjo ministri ka për vitin e 2019.
Ai ka thënë se gjatë vitit tjetër pritet që ekonomia e vendit të rritet për 4.7 përqind në terma real.
Sipas Hamzës, hyrjet më të mëdhaja financiare do të jenë nga administrata tatimore, politikat tatimore dhe doganat, shkruan Ballkani.info.
Tutje, Ministri i Financave ka diskutuar rreth planit të kësaj ministrie për ndarjen e buxhetit.
“Sipas sektorëve i kemi vendosur edhe prioritetet për vitin tjetër, e këto janë sundimi i ligjit, arsimi, shëndeti” ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se në sundimin e ligjit do të ndahen mbi 200 milionë euro ndërsa në sektorin e arsimit rreth 300 milionë euro.
Për sektorin e shëndetësisë, Hamza ka thënë se projektligji parasheh ndarjen e rreth 234 milionë eurove. /Ballkani.info/