Buxheti për barna 34 milionë euro, pacientët blejnë vetë fashat 50-centëshe

Institucionet publike shëndetësore në vend edhe gjatë këtij muaji janë duke u ballafaquar me mungesë të produkteve mjekësore. Pacientët po detyrohen t’i blejnë vetë edhe produktet më bazike, të cilat nuk kushtojnë shumë

Pacientët në Kosovë janë të obliguar t’i sigurojnë vetë shumë barna e materiale shpenzuese për të marr trajtim në institucionet publike shëndetësore në vend. Së fundmi ata po detyrohen t’i blejnë vetë edhe fashat, të cilat kushtojnë 50 centë e po ashtu edhe gjilpërat që janë me çmim të ulët, shkruan sot gazeta Zëri

Buxheti prej 34.9 milionë eurosh, i ndarë këtë vit për barna dhe për material shpenzues, nuk po mjafton që pacientëve t’u sigurohen edhe produktet, të cilat po kushtojnë më lirë sesa 1 euro, pavarësisht se ato janë në listën esenciale të barnave dhe duhet të gjenden në institucionet publike shëndetësore në vend.

Pacientët po ashtu po blejnë vetë edhe tabletat aspirinë (përdoren për hollim të gjakut), tabletat diazepam (qetësues) e një lloj të insulinës analoge, e cila është me veprim të zgjatur dhe që përdoret nga personat me diabet.

Një situatë e njëjtë, me mungesa të shumta të produkteve mjekësore në Kosovë po përcillet vit pas viti. Që nga paslufta asnjëherë nuk ka pasur furnizim 100 për qind në asnjë nga institucionet publike shëndetësore në vend, rrjedhimisht qytetarët gjithmonë është dashur të mbajnë barrën e sigurimit të shumë barnave.