Bursa e kriptovalutave Binance akuzohet për shkelje të ligjeve financiare të SHBA-së

Rregullatorët amerikanë po kërkojnë të ndalojnë platformën për tregtimin e kriptovalutave Binance, duke pretenduar se firma ka operuar ilegalisht në vend.

Padia nga Komisioni i Tregtisë (CFTC) thoshte se firma kishte zhvilluar aktivitetin edhe pse nuk arriti të regjistrohej siç duhet te autoritetet.

CFTC akuzoi Binance për thyerjen e ligjeve të shumta financiare të SHBA-së, duke përfshirë rregullat që synojnë të pengojnë pastrimin e parave.

E themeluar në vitin 2017, Binance tani është platforma më e madhe e centralizuar në botë për asetet e kriptovalutave, duke pretenduar se ka më shumë se 100 milionë përdorues në mbarë botën. Ajo drejtohet nga miliarderi kanadez me origjinë kineze Changpeng Zhao, i cili gjithashtu përmendet në padi.

Komisioni tha që Binance kishte qenë aktive në SHBA që nga viti 2019, por kurrë nuk ishte regjistruar siç duhet ose nuk ishte në përputhje me ligjet përkatëse amerikane, duke përdorur një strukturë korporative botërore “qëllimisht të errët”, si përpjekje për t’i shpëtuar mbikëqyrjes financiare.

Në vitin 2021, Binance njoftoi se po “shtrëngonte” rregullat e saj, por në të njëjtën kohë, CFTC-ja tha se i këshilloi klientët amerikanë se si t’i shmangeshin kontrolleve duke përdorur rrjetet private virtuale (VPN), përcjell Telegrafi.

“Firma iu shmang rregullave për të maksimizuar fitimet e korporatave”, tha CFTC.

Vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar Binance se po planifikonin të përdornin ligjet ekzistuese për të zbatuar në mënyrë më rigoroze çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit dhe mungesën e transparencës.