Gazetari

Burri misterioz i veshur me rrobat e gazetarit saudit, filmohet nga kamerat e sigurisë nëpër rrugët e Stambollit (Video)

Oficeri i inteligjencës saudite që ishte pjesë e ekipit prej 15 personave që dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, është filmuar nga kamerat e sigurisë në Stamboll duke ecur i veshur me rrobat e gazetarit i cili po të njëjtën ditë ishte vrarë, raporton CNN.

Televizioni amerikan ka siguruar pamjet ekskluzive të kamerave të sigurisë pas hetimeve të kryera nga autoritetet turke, në të cilat shihet një burrë i veshur me rrobat e Khashoggi dhe me një mjekër të rreme e me syzet e tij, duke dalë nga dera e pasme e ndërtesës së konsullatës saudite në Stamboll, vetëm katër orë pasi gazetari ishte futur në hyrjen kryesore, transmeton Telegrafi.

Po i njëjti burrë me rrobat e Khashoggi është parë në xhaminë e kaltër disa orë pasi gazetari është parë duke u futur në konsullatë më 2 tetor, kur edhe për herë të fundit është parë i gjallë.

Oficeri i inteligjencës saudite është identifikuar si Mustafa al-Madani, i cili besohet të jetë anëtarë i “ekipit që ishte dërguar për ta vrarë gazetarin në konsullatën saudite gjatë vizitës me rastin e nxjerrjes së disa dokumenteve për martesë”.

Pasi që kishte përmasat trupore të ngjashme me ato të gazetarit Khashoggi, oficeri 57-vjeç ishte maskuar si “Khashoggi i rrejshëm” me tendencën që të fsheh vrasjen e gazetarit.