Burjani: Analistët e padijshëm po e nxisin agresivitetin në mes të partive

Nuk ka mbetur as edhe një muaj i plotë deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, kështu partitë politike kanë filluar fushatën në rrjete sociale e në debate televizive, anipse fushata zyrtare fillon me 25 shtator.

Çdo mbrëmje në emisionet televizive të pothuajse çdo mediumi ka ‘përballje’ mes përfaqësuesve të partive, të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Një debat i tillë eskaloi mbrëmë në një emision të një medium privat. Ishin Dardan Molliqaj nga Partia Socialdemokrate dhe Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët nga temat politike e quan debatin në ofendime personale ndaj njëri – tjetrit.

Pas përfundimit të emisionit, u raportua se pas daljes nga studio debati i tyre shkoi deri në përleshje fizike, për të cilën u intervistuan në Polici.

“Më datë 11.09.2019, rreth orës 22:55, Policia ka pranuar informatën lidhur me një incident në Fushë Kosovë, dhe njësitet e stacionit kompetent policor menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku aty kanë takuar njërin nga personat e përfshirë i cili është në proces të intervistimit dhe tani janë duke ndërmarr të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, në mënyrë që në konsultim me prokurorin kompetent të ndërmerren veprime të mëtutjeshme”, njoftoi mbrëmë Policia.

Shkaktar i eskalimit të debatit deri në përleshje fizike, sipas analistit Blerim Burjani, janë panelet jopofesionale të mediave private.

“Panelet e televizioneve private po e nxisin debatin dhe agresivitetin ndërmjet partive dhe individëve. Përkeqësimi mund të ndodhë nëse disa apo shumica e gazetarëve bëhen katër e më shumë që nuk marrin vesh nga politika, por debatit gjithnjë po i japin kahje ndërpersonale apo vetëm acarojnë partitë, duke i pytur çka mendon për këtë individ apo parti dhe nuk ka debat për programin, por për individë”, tha analisti Burjani për Ballkani.info.

Burjani thotë se padituria e analistëve po ndikon që debatet mes partive politike të bëhen “mish mash”. Pyetjet e udhëheqësve të debateve, të cilët sipas tij po lobojnë për parti të caktuara po i rrisin tensionet mes partive.

“Këto debate të udhëhequra në mënyrë të padijshme dhe të nxitura me pyetje që s’kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve po e komplikojnë parafushatën dhe po e prishin frymën demokratike dhe po i’a gërdisin qytetarëve votimin. Pra problemet janë që në anën tjetër shumë media private janë shëndrrue në lobim të disa partive që po i rrisin tensionet në mes partive dhe kandidatëve”, shtoi ai.

Sistemi anarkik që sipas Blerim Burjani mbretëron në Kosovë, ku nuk ka rend e ligj e ka sjellë këtë gjendje.

Kujtojmë që dy vite më parë, saktësisht më 29 shtator 2017, në një studio televizive të një televizioni privat kishte ndodhur një përleshje fizike mes Frashër Krasniqit atëherë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Milaim Zekës që në atë kohë ishte deputet i Nismës.

Më 19 korrik të këtij viti ishte publikuar aktakuza për këtë rast e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas të cilës prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”./Donjeta Murselaj – Ballkani.info/

loading…