burim rreci

Burim Rreci dyshohet se ishte pjesë e grupit më të madh shqipfolës të drogës

Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci, është arrestuar sot nga autoritetet në Mal të Zi. Rreci është arrestuar nën dyshimin se po transportonte marihuanë.

Demokracia.com raportoi e para se Rreci ishte në veturën e sekuestruar me pakot e marihuanës kur është arrestuar nga policia malazeze.

Mediat në Mal të Zi kanë raportuar se policët dhe doganierët malazezë kanë sekuestruar pothuajse 50 kilogramë marihuanë në terminalin e pikës kufitare Debeli Brijeg.

“Policët, së bashku me anëtarë të Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave, në orët e hershme të mëngjesit kanë gjetur shtatë pako me përmbajtje të lëndës narkotike marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze, transmeton Demokracia.com.

Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave mëngjesin e sotëm rreth orës 03:30 kanë parandaluar, siç thonë ata, kontrabandën e lëndës bimore që dyshohet se është droga narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë.

“B.R është privuar nga liria për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me Rrecin dhe avokatin e tij, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.

Por, sot u raportua edhe për një operacion ndërkombëtar, ku u përfshinë autoritetet ligjzbatuese të 7 vendeve, që çoi në shkatërrimin e një prej rrjeteve më aktive shqipfolëse të kokainës në Evropë.

Dyshohet se Rreci ishte pjesë e këtij grupi të madh të narkodilerëve, pasi ai u zu duke kaluar nga Kroacia në Mal të Zi, shkruan Demokracia.com.

Këtë të martë, Eurojust dhe Europol mbështetën një seri aksionesh të ndërmarra në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë së cilave u kontrolluan më shumë se 80 vende dhe u arrestuan 45 persona.

Në mesin e tyre përfshihen persona të hetuar për disa çështje të rëndësishme, në juridiksione të ndryshme.

Të arrestuarit dyshohen se e importonin kokainën nga Amerika Latine nëpërmjet porteve të ndryshme europiane, organizonin dhe transportonin ngarkesat nëpërmjet avionëve, anijeve, makinave, e kamionëve dhe drejtonin tregun. Spanja dhe vende të tjera të Bashkimit Europian u përdorën për të pastruar të ardhurat nga tregtia e tyre.

Gjatë ditës së aksionit, mbi 600 oficerë të agjencive ligjzbatuese në bashkëpunim të ngushtë me prokurorë dhe hetues ndërmorën aksione kundër anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë. Një numër paralel veprimesh u ndërmorën po ashtu në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

Operacioni i sotëm i koordinuar në nivel ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust ishte kulmim i shumë muajve planifikime mes agjencive të ligjit dhe autoriteteve juridike për aksionin.

Puna e hetuesve në Spanjë nisi në 2018-n, me arrestimin e një anëtari të nivelit të lartë të grupit të organizuar kriminal, i cili aktualisht është në pritje të të nisjes së gjyqit.

Në Belgjikë, hetuesit nisën punën pas sekuestrimit të një sasie droge në shtator të 2020-s dhe të një sasie të madhe kimikatesh, të përdorura për të transformuar dhe prezervuar kokainën me qëllim tregtimin e saj. Sasi të mëdha kokaine u sekuestruan falë disa operacioneve përgjatë viteve të fundit nëpër gjithë Europën, të lidhura me të dyshuarit.

Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte ngritur një seri sipërmarrjes në vende të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë Spanjë e Kroaci. Anëtarët e tij udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi, për të rregulluar bizneset e tyre të jashtëligjshme dhe përdornin komunikim të enkriptuar për të koordinuar aktivitetet e tyre.

Në hetim morën pjesë autoritetet e Belgjikës, Kroacisë, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Holandës dhe SHBA (FBI). /Demokracia.com/