Burgu i Prishtinës shndërrohet në muze

Në Prishtinë më 12 korrik është hapur muzeu “Burgu i Idealit”, që është ish-qendra e paraburgimit gjatë kohës së regjimit serb, ku mijëra ish të burgosur shqiptarë kanë përjetuar trajtime çnjerëzore.

Në hapësirat e këtij burgu janë vendosur fotografi, video, e artefakte të tjera të ish të burgosurve, për të treguar përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në këtë burg.

Ministria e Kulturës tha se ka marr materiale të nevojshme nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, përfshirë edhe mbi 9,000 emra të ish të burgosurve nga viti 1945.

Muzeu do të punojë me orar të plotë nga ora 10:00 deri 19:00, çdo ditë përveç të hënave, ku vizitorët do të priten nga një ciceron i angazhuar me orar të plotë.

Në ish-qendrën e paraburgimit në Prishtinë janë vendosur fotografi e materiale të ndryshme, në kujtim të përjetimeve të ish të burgosurve poitikë në kohën e regjimit serb.

Burgu i Prishtinës është shndërruar në muzeun “Burgu i Idealit” , teksa aty është hapur një ekspozitë e përkohshme, e cila do të mundësojë që ky burg të shndërrohet plotësisht në muze, kanë thënë nga Ministria e Kulturës.

Ilmi Ramadani, i burgosur në këtë burg në vitin 1976, viziton ekspozitën.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur për REL-in se është ruajtur struktura origjinale e burgut, por janë kryer vetëm intervenime të vogla me video, fotografi, artefakte e të tjera të ish të burgosurve gjatë periudhës së regjimit serb.

Martin Quni viziton burgun ku ka vuajtur nëntë vjet burgim. Ai ishte burgosur në vitin 1963.

Në Burgun e  Prishtinës janë mbajtur veprimtarët politikë, aktivistët dhe disidentët të cilët kanë qenë kundër regjimit të Serbisë.

Ndërtesa e Burgut të Prishtinës ka qenë e mbyllur që nga viti 2015.

Ministria e Kulturës ka në plan që të bëjë restaurimin e burgut, me qëllim të konservimit të tij. Por, ende nuk është vendosur nëse ai do të mbyllet  krejtësisht apo pjesë-pjesë, dhe të vazhdohet me vizita në ekspozitën e përkohshme.

Mbi 9,000 persona, që nga viti 1945, kanë vuajtur dënimet në këtë burg.

Aktualisht është hapur vetëm kati i parë i burgut, ndërkaq më vonë pritet të shndërrohet në muze me titullin e njëjtë sikurse të ekspozitës, “Burgu i Idealit”.

 “Ajo ndërtesë [Burgu i Prishtinës] edhe po të mos ketë asnjë fjalë përshkruese, ka peshën e vet emocionale që sapo të hyjnë vizitorët e kuptojnë menjëherë historinë e rëndë të saj”, tha për REL-in, këshilltarja e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rozafa Imami.

Në korridoret dhe qelitë e burgut janë vendosur edhe informacione të ndryshme për historikun e kësaj ndërtese.

Qytetarët mund ta vizitojnë ekspozitën “Burgu i Idealit” nga ora 10 deri 19, çdo ditë përveç të hënave.